Flet eksperti i drejtësisë: Ky është dështimi më i madh i Kosovës...

  • 16 February 2020 - 16:13
 Flet eksperti i drejtësisë: Ky është dështimi më i madh i Kosovës...

 “Mjerisht ky 12 vjetor i shpalljes së Pavarësisë Kosovën e gjen të “okupuar”, të rrezikuar dhe të kërcënuar e të plagosur nga korrupsioni, krimi i organizuar, papunësia, varfëria dhe nga eksodi, të cilat Kosovës dhe popullit të saj i vijnë nga politika, pushteti dhe nga sistemi i drejtësisë, nga mafiooligarkia e cila ka kapur shtetin dhe ligjin, dhe ka bllokuar demokracinë, zhvillimin, drejtësinë e integrimin. Nuk e meritonte populli shqiptar i Kosovës keq qeverisjen dhe tradhtinë që atij i ka bërë në këto vite klasa politike, elita politike e saj, dhe prandaj shpirti i qëndresës dhe mençuria e tij me 6 Tetor 2019, me verdiktin e tij, me forcën e votës së lirë: populli i Kosovës e ndëshkoi ashpër keq pushtetin, keq qeverisjen, krimin, hajninë, korrupsionin dhe injorancën që kishin okupuar shtetin, shoqërinë dhe drejtësinë”, thotë Kapiti për “Kosova Sot Online” .

 

Më 17 shkurt, Kosova do të shënojë 12 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Pavarësisht të arriturave të shënuara në këto 12 vite, sipas analistëve politik, ky përvjetor e gjen shtetin e ri të Kosovës edhe me sfida serioze të cilat gjenden para tij. 

Image
Skender Kapiti

Lidhur me zhvillimet në Kosovës për këto 12 vite në pavarësi, për “Kosova Sot Online” ka folur analisti politik dhe njohës i fushës së të drejtës, Skënder Kapiti.

“Me 17 Shkurt 2008 Kosova shpalli Pavarësinë, gjë e cila shënon krijimin e Shtetit të Ri shqiptar të Kosovës të njohur edhe ndërkombëtarisht pas përpjekjesh, mundimesh e sakrificash mbinjerëzore të popullit martir të saj. Shqiptarët e Kosovës qëndruan, sfiduan dhe sakrifikuan për shtetin, për atdheun dhe për Kombin për të siguruar, garantuar dhe zhvilluar liritë dhe të drejtat kombëtare, progresin qytetar, progresin arsimor, kulturor, ekonomik dhe mirëqenien. Shqiptarët e Kosovës luftuan për dinjitetin kombëtar, për lirinë, për drejtësinë dhe për lumturinë kundër padrejtësive, jo lirisë dhe kundër barbarisë sllavo-serbe”, thotë Kapiti për “Kosova Sot Online”. 

Sidoqoftë, Kapiti thotë se në këtë rrugëtim prej më shumë se një dekade, Kosova ka pasur edhe sfidat e veta dhe probleme serioze, të cilat po e sfidojnë në procesin e ndërtimit dhe fuqizimit të shtetit të së drejtës.

“Mjerisht ky 12 vjetor i shpalljes së Pavarësisë Kosovën e gjen të “okupuar”, të rrezikuar dhe të kërcënuar e të plagosur nga korrupsioni, krimi i organizuar, papunësia, varfëria dhe nga eksodi, të cilat Kosovës dhe popullit të saj i vijnë nga politika, pushteti dhe nga sistemi i drejtësisë, nga mafio-oligarkia e cila ka kapur shtetin dhe ligjin, dhe ka bllokuar demokracinë, zhvillimin, drejtësinë e integrimin. Nuk e meritonte populli shqiptar i Kosovës keq qeverisjen dhe tradhtinë që atij i ka bërë në këto vite klasa politike, elita politike e saj, dhe prandaj shpirti i qëndresës dhe mençuria e tij me 6 Tetor 2019, me verdiktin e tij, me forcën e votës së lirë: populli i Kosovës e ndëshkoi ashpër keq pushtetin, keq qeverisjen, krimin, hajninë, korrupsionin dhe injorancën që kishin okupuar shtetin, shoqërinë dhe drejtësinë”, shton analisti  Skënder Kapiti për “Kosova Sot Online”. 

Prandaj sipas tij,  kjo datë le të jetë dhe shërbejë si një çlirim i dytë për Kosovën.

“Si fitorja e dytë e madhe pas Shpalljes së Pavarësisë për ta përqendruar gjithë angazhimin në ndërtimin e shtetit të së drejtës, që ka munguar deri më tani. Kjo është detyrë të cilën e ka marrë përsipër Albin Kurti koalicioni qeverisës i drejtuar prej tij dhe Vjosa Osmani, të cilëve ua besoi si mision jetik verdikti dhe vullneti popullor, referendumi i 6 Tetorit 2019 për të kryer VETTING-un politik e juridik, pastrimin dhe ndëshkimin, çmontimin e të këqijave kombëtare, politike, demokratike, juridike dhe korrupsionin nga sistemi dhe kthimin e shpresës e të ligjit dhe të vënies në funksionim të shtetit ligjor, të shoqërisë e të demokracisë, pra për të konsoliduar e fuqizuar Pavarësinë”, përfundon analisti politik dhe njohës i fushës së të drejtës, Skënder Kapiti për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)