Kosovë, urime ditëlindjen e 12-të! Le te jetë ky fundi i korrupsionit dhe kriminalizimit të institucioneve!

  • 17 February 2020 - 07:39
 Kosovë, urime ditëlindjen e 12-të! Le te jetë ky fundi i korrupsionit dhe kriminalizimit të institucioneve!

Sot, Kosova feston ditëlindjen e 12-të të pavarësisë. Këto 12 vite të shtetësisë ishin dështim, korruptim dhe kriminalizim i institucioneve. Kjo është e vërteta për Kosovën, shumë larg pritjeve të qindra e mijëra qytetarëve, që sot, në këtë përvjetor, në vend se të jenë të gëzuar, me hidhërim dhe të dëshpruar, mezi presin t'u jepet mundësia për ta braktisur Republikën. Qeveritë e deritanishme, na vodhën njëra pas tjetrës! Na zhvatën e u tallën!

Ajo çka përjetuam për 12 vite ishte: Zero transparencë! Zero përgjegjësi! Zero politikë! Krizë në arsim, keq në shëndetësi, kaos në administratë,monopole kriminale, rrënim në kompani publike, tenderat me përqindje, degradim në ambasada,shitje të lejeve ndërtimore në komuna, skandale seksuale gjithandej në zyrat shtetërore. Mbi të gjitha, ky lidership miliarderësh me rroga shteti e kanë vënë në pikëpyetje edhe këtë pavarësi të kompromiseve, duke na çuar drejt koncesioneve të reja. Hapja e statusit, nxjerrja e territorit në pazar me Serbinë, është goditja më e rëndë që i është dhënë shtetësisë. Urimi i vetëm në këtë 12 vjetor , e që mund ta bëjmë me plot gojën, është kundër kastave kriminale, që e kanë sunduar këtë popull të mjeruar.

Sot, duke kujtuar gjithë dëshmorët e kombit dhe martirët, të cilët ranë për lirinë e Kosovës, redaksia e "Kosova Sot Online" ua uron 12 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, duke shpresuar dhe uruar për ditë më të mira për shtetin tonë.

Shtetin ua kemi borxh atyre që dhanë më të shtrenjtën për Kosovën, jetën e tyre. Shtetin ua kemi borxh edhe fëmijëve tonë! Mos t'i zhgënjejmë! Të shpresojmë se kjo qeveri e re do të punoj për këtë popull, e jo për mafio-oligarkët, siq kanë punuar të gjitha qeveritë e deritanishme!

Gëzuar 17 shkurtin, Ditën e Pavarësisë!

(Kosova Sot Online)