Në vend se të bëhej dhëndër, familja sot varros 22-vjeçarin nga Malisheva

  • 17 February 2020 - 15:10
Në vend se të bëhej dhëndër, familja sot varros 22-vjeçarin nga Malisheva

Në orën 16:00 të pasdites së sotme do të varroset trupi i 22-vjecarit, Rilind Hoxha, i cili vdiq nga plumbat që i mori derisa po kryhej një grabitje në një kafiteri në periferi të Shkupit, ku ai po pinte kafe në pasditen e së shtunës së kaluar. Varrimi i tij, do të bëhet në fshatin Bellanicë të Malishevës.

Kishte pak ditë që kishte ardhur nga Gjermania për pushime në Kosovë. Por, dimri i këtij viti doli të jetë i fundit për të. Rilind Hoxha nga fshati Bellanicë i Malishevës ia pa sherrin një kafeje të cilën ishte ndalur për ta pirë në Maqedoninë e Veriut. Ishte nisur për në Shkup me tre shokë të tij, mirëpo gjatë një grabitjeje e cila ndodhi në një kazino në Shkup ai u përfshi nga plumbat që disa persona të maskuar kishin gjuajtur në drejtim të personave që po qëndronin ulur në ambientet e kafiterisë. 

Familjarët e 22-vjecarit të ndjerë për media kanë treguar se i biri i tyre kishte shkuar në Shkup veç për vizitë. Sipas tyre ai nuk kishte luajtur kazino apo ndonjë gjë të ngjashme.

“Veç ka qenë duke pi kafe. U përfshi në plumba. Nuk kanë ditë gjë. Ai ka ardhë në Kosovë për pushime. Bile edhe disa muaj kemi pas me e martua”, ka deklaruar një i afërm i viktimës për media.

Por trupi i pa jetë i Rilindit do të varroset sot pasdite në ora 16:00 në varrezat e fshatit Bellanicë të Malishevës.

Ai kishte qenë i fejuar dhe në verën e këtij viti kishte planifikuar që të martohej.

(Kosova Sot Online)