Thaçi iu drejtua i vetëm FSK’së, nuk e ftoi Ministrin e Mbrojtjes Anton Qunin

  • 17 shkurt 2020 - 18:53
Thaçi iu drejtua i vetëm FSK’së, nuk e ftoi Ministrin e Mbrojtjes Anton Qunin

Komandanti suprem i FSK-së, e presidenti i vendit Hashim Thaçi zgjodhi që debutimin e tij para ushtarëve e festën për 12 vjetorin e pavarësisë ta zhvillojë krejtësisht i vetëm, pa praninë e liderëve të tjerë në vend. Media ka konfirmuar nga burime brenda institucioneve, se ftesë për të marrë pjesë në organizimin e presidentit në kazermë, nuk pati as ministri i Mbrojtjes Anton Quni.

Derisa dy liderët e shtetit, Albin Kurti e Vjosa Osmani kryen aktivitetet për 12 vjetorin e pavarësisë kryesisht paradite, Hashim Thaçi atë kohë po qëndronte ende në Bruksel, madje pozitivisht nuk iu përgjigj as ftesës për të marrë pjesë në seancën solemne.

Me t’u kthyer nga aty, i pari i Kosovës, paralajmëroi se do t’i zhvillojë dy aktivitete në 12 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, por, që këto i bëri pa praninë e liderëve të tjerë.

“Nuk ka pasur ftesë për ministrin Quni dhe pjesën tjetër të qeverisë”, kanë konfirmuar këto burime.

Megjithatë në presidencë nuk kanë sqaruar se pse debutimin para FSK-së, komandanti suprem vendosi që ta bënte pa praninë e Ministrit të Mbrojtjes, me të cilin njihen mirë për raportet e acaruara ndër vite.

Thaçi para ushtarëve të FSK-së, zgjodhi që të fliste për forcimin e Forcës së Sigurisë.

 “Tashmë në etapën e dytë, ushtria e Kosovës synon objektiva të reja drejt konsolidimit dhe forcimit të mëtutjeshme. Kuadro drejtuese, rritjen e Rekrutëve të rinjë, trajnimi dhe forcimi logjistik pajisje më moderne të mundshme”, është shprehur Thaçi.

Sidoqoftë presidenti organizoi edhe një event tjetër ku u tha se ka ftuar të gjithë politikanët në vend.

(Kosova Sot Online)