Tragjedia e rëndë në Gjilan, flet eksperti i sigurisë: Ky është alarmi për Policinë...

  • 21 February 2020 - 07:46
Tragjedia e rëndë në Gjilan, flet eksperti i sigurisë: Ky është alarmi për Policinë...

“Është mirë që pas këtij rasti të kërkohet përgjegjësi individuale nga niveli i parë, i mesëm dhe i lartë i policisë për një neglizhim të tillë që ka rezultuar me humbje jetësh. Niveli politik duhet të fillojë që të ketë ristrukturim të krejt policisë se Kosovës dhe bërjes se ligjit për pensionim të parakohshëm në moshën 55 vjeçare”, thotë Shala për “Kosova Sot Online” .

Njohësi i fushës së sigurisë, Drizan Shala, duke analizuar gjendjen në Policinë e Kosovës, ndërlidhur me rastin e tragjedisë në familjen Bllaca në Gjilan, kërkon një ristrukturim të plotë dhe rishikim të kushteve të rekrutimit të kandidatëve, të cilët në të ardhmen do të shërbejnë në institucionet e sigurisë së Kosovës, qoftë në Policinë e Kosovës apo edhe në FSK.

Sipas tij, në të dyja këto shërbime nuk po funksionon gjithçka ashtu si duhet dhe sikur që parashihet me kriteret specifike.

Image
Drizan Shala

“Sipas kritereve të cilët janë të vendosur nga ana e organizatave të sigurisë për përzgjedhjen e personelit, çdo kandidat potencial duhet të kalojë një mori procedurash dhe njëra ndër to është edhe kriteri mjekësor, ku përgjatë procesit në fazën e fundit për të shërbyer, pastaj si kadet është kriteri shëndetësor ku kandidatet i nënshtrohen një mori testimesh nga ana e personelit mjekësor për të vlerësuar gjendjen psiko/fizike të zyrtarit potencial si në Policinë e Kosovës e po ashtu edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Por menaxhmenti i lartë i Policisë së Kosovës, që nga krijimi i saj nuk e kanë paraparë një ri-testim psiko/fizik dhe shëndetësor të zyrtareve të saj, por vetëm te njësitë e specializuara operative ka ri-testime fizike të cilat ndërlidhen me ato shëndetësore por jo të aspekti psikik për të qëndruar apo transferuar në këto njësi”, thotë Shala për “Kosova Sot Online”.

Sipas ekspertit Shala, deri më tani ka pasur disa raste të vetëvrasjeve të policëve, por që menaxhmenti nuk e ka bërë alarmante një fenomen të tillë,.

Sipas tij, rasti i Gjilanit në të cilin e pësoi një familje e tërë, është rast për tu alarmuar për gjendjen e cila është në polici, sa i takon përcjelljes së gjendjes shëndetësore të pjesëtarëve të këtij shërbimi.

“Është rasti i Gjilanit por edhe raste të tjera ku zyrtarët kanë kryer vetëvrasje apo vrasje, e menaxhmenti nuk e ka konsideruar si të nevojshme që të fillon një proces, ku të ketë çdo 6 muaj testime psikologjike për njësit e specializuara dhe çdo 12 muaj për njësit patrulluese apo të rendit, sepse në kuadër të drejtorisë së përgjithshme ekziston drejtoria për shëndetësi, por e cila nuk ka kompetenca për të kërkuar një veprim të kontrollit psikologjik brenda policisë. Është mirë që pas këtij rasti të kërkohet përgjegjësi individuale nga niveli i parë, i mesëm dhe i lartë i policisë për një neglizhim të tillë që ka rezultuar me humbje jetësh. Niveli politik duhet të fillojë që të ketë ristrukturim të krejt policisë se Kosovës dhe bërjes se ligjit për pensionim të parakohshëm në moshën 55 vjeçare”, thekson Shala për “Kosova Sot Online” .

Një faktor tjetër që nuk e përjashton Shala tek fusha e punësimeve në organet e sigurisë, është edhe lidhja familjare, nepotiste dhe korrupsioni që krijojnë kushte për ata që nuk e meritojnë atë vend pune, as nga aspekti shëndetësor dhe ai profesional.

“Ndërsa në lidhje me punësimet brenda policisë apo mekanizmave tjerë sigurisë se a janë futur pa kritere këtë pike vetëm përgjegjësit e atyre organeve të sigurisë mund të japin por a kemi nepotizëm ne nivel tjetër shoqëror unë them me përgjegjësi që po”, përfundon eksperti i sigurisë, Drizan Shala për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)