Emri/ Mbahej në burg, vetëvaret në banjë 43-vjeçari

  • 21 February 2020 - 21:13
Emri/ Mbahej në burg, vetëvaret në banjë 43-vjeçari

Bilbil Hasani, 43-vjeç ka varur veten ditën e sotme në burgun nr.313 në Tiranë. I ndjeri po qëndronte me masë sigurie “arrest në burg”, për shkak se kishte vjedhur 12 mijë lekë të vjetra. Në një reagim të inspektorit të Lartë i Drejtësisë, Artur Metani theksohet se do të kryhen të gjitha procedurat për verifikimin e situatës.

“U njoha nga mediat me lajmin e vetëvarjes së 43 vjeçarit B.H., në institucionin e vuajtjes së dënimit 313 në Tiranë, si dhe me pretendimin se i ndjeri po qëndronte me masë sigurie në burg, për shkak se kishte vjedhur 12 mijë lekë të vjetra.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë po vlerëson rastin për fillimin e verifikimit nëse ka pasur vonesa në veprimet procedurale hetimore apo gjyqësore, si dhe nëse ka zbatim të gabuar të ligjit material apo procedural”, – deklaroi Metani.

Raportohet se 43-vjeçari është vetëvarur me çarçaf në banjën e qelisë dhe kanë qenë gardianët, që kanë gjetur trupin e tij të pajetë. 

(Kosova Sot Online)