Arrestohen dy të rinjtë që udhëtonin me makinë të vjedhur, në kërkim bashkëpunëtori

  • 22 shkurt 2020 - 08:59
Arrestohen dy të rinjtë që udhëtonin me makinë të vjedhur, në kërkim bashkëpunëtori

Dy të rinj kanë rënë në pranga, pasi nuk iu bindën urdhrit te policisë për të ndaluar pasi udhëtonin me makinë të vjedhur, ndërkohë që shoku i tyre ndodhet në arrati. Burime nga policia bënë me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve me inicialet A. G., 28 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë ” dhe “Vjedhja e kryer në bashkëpunim” dhe K.Z., 24 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin, për veprat penale “Vjedhja e kryer në bashkëpunim”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Ndërkohë, u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit Sh. Xh., i cili mundi të largohej gjatë ndjekjes nga Policia. Të rinjtë akuzohen se me datë 20 duke udhëtuar me një mjet tip “Benz”, i dyshuar si i vjedhur në Tiranë më datë 25.06.2019, me targa të tjera të vjedhura në Shkodër, nuk iu bindën urdhrit të Policisë për ndalim. Pas ndjekjes nga Policia këta shtetas kanë braktisur mjetin dhe njëri prej tyre ka mundur të largohet.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorë të këtyre ngjarjeve:
Më datë 05.06.2019, në Fushë Krujë, dyshohen se kanë vjedhur mjetin tip “BMË”, në pronësi të shtetasit E. Ll.
Më datë 19.11.2019, në fshatin Derven, Krujë, kanë vjedhur mjetin tip “Benz” në pronësi të shtetasit Sh. D. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Vjedhja e kryer në bashkëpunim” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

(Kosova Sot Online)