Analiza e fortë: Sfidat e rënda që e presin Qeverinë, ja për çka ka nevojë Kurti

  • 22 February 2020 - 13:58
Analiza e fortë: Sfidat e rënda që e presin Qeverinë, ja për çka ka nevojë Kurti

“Edhe shkarkimet që po bëjnë, janë duke u bërë pa ndonjë nguti të tepërt, pore edhe me një shpejtësi të mjaftueshme, duke e goditur gjarprin në kokë. Kosova, për herë të parë pas lufte, po frymon lirshëm, sepse ka në pushtet gardianët e vërtetë, që i lejon popullin të jenë vetvetja, të punojnë pa presion dhe frikë nga mafia dhe oligarkët. Është tepër e rëndësishme që të mos humbet vigjilenca sepse ata që deri dje robëruan popullin e vetë, janë prezent në çdo cep të vendit”, thotë Aliu për “Kosova Sot Online”.

Analistët politikë presin që edhe qeveria Kurti, do të jetë një qeveri e cila sikur që e filloi, edhe do ta përfundojë mandatin e saj me kërkesat e ndërkombëtarëve që ta pastrojë Kosovën njëherë e përgjithmonë nga krimi dhe korrupsioni.

Kjo për faktin se në të gjitha urimet që i vijnë Kryeministrit Kurti nga krerët e shteteve të ndryshme mike të Kosovës, aty është edhe kërkesa për luftimin pa kompromis të krimit e korrupsionit dhe instalimit të shtetit të së drejtës.

Së edhe kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson në letrën përshëndetëse për Kurtin, është shprehur se vendi i tij e mbështet fuqishëm agjendën për luftimin e korrupsionit.

“Mezi presim të punojmë së bashku si partnerë në mënyrë që Kosova dhe rajoni më i gjerë të jenë të qëndrueshëm, të sigurt dhe prosperues. Për këtë qëllim, ne mbështesim fuqishëm agjendën tuaj të brendshme për të luftuar korrupsionin, për forcimin e sundimit të ligjit dhe për trajtimin e krimit të rëndë dhe të organizuar”, thuhet në telegramin e urimit të Boris Johnson.

E lidhur me këtë porosi që vjen gjithandej nga faktori ndërkombëtar për qeverinë Kurti, për “Kosova Sot Online” ka folur analisti politik, doktor Hysni Aliu.

Sipas tij, qeveria e koalicionit LVV-LDK do të jetë vendimtare për ta përmirësuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe hapjen e rrugës së pa kthyeshme për integrimet evropiane.

Image
Hysni Aliu

“Formimi i qeverisë nga koalicioni LDK-VV është gjëja më e mirë që i ka ndodhur Kosovës që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, prandaj është e pritshme që me këtë qeveri do të fillojnë të ndryshohen pozitivisht, shumë trendë negative që kemi pasur deri më tani, në të gjitha fushat e jetës dhe të shtet ndërtimit, pavarësish se do të ketë sfida tepër të mëdha. Kjo qeveri ka sfida të mëdha para veti, por me ndihmën e miqve ndërkombëtar besoj që do të ja del ta rrënoj krimin dhe ta rimëkëmb shtetin e së drejtës. Sfida është aq e madhe, sa që mundë të krahasohet me punën që nevojitet për ta shndërruar një pyll me lisa të mëdhenj në tokë pjellore. Kjo sepse ata që ishin deri dje në pushtet, për njëzet vite kanë investuar në formimin e rrjetit të tyre kriminal, si të nëntokës ashtu edhe në institucione ku kanë vendosur njerëzit shërbëtor të krimit që me injorancën e tyre, vetëm gjëra të mira s’dinë të bëjnë”, thotë doktor Aliu për “Kosova Sot Online”.

“Kjo qeveri, e ka filluar punën mirë, që nga emërimi i ministrave e tash zëvendësministrave, ku po emërohen njerëz të rinj që kanë shkollim adekuat dhe dinjitet njerëzor, por edhe shkarkimet që po bëhen po tregojnë se qëllimi është për t’i vendosur në pozitat me përgjegjësi njerëzit e profesionit dhe të etikës, e jo të interesat politike e klienteliste. Edhe shkarkimet që po bëjnë, janë duke u bërë pa ndonjë nguti të tepërt, pore edhe me një shpejtësi të mjaftueshme, duke e goditur gjarprin në kokë. Kosova, për herë të parë pas lufte, po frymon lirshëm, sepse ka në pushtet gardianët e vërtetë, që i lejon popullin të jenë vetvetja, të punojnë pa presion dhe frikë nga mafia dhe oligarkët. Është tepër e rëndësishme që të mos humbet vigjilenca sepse ata që deri dje robëruan popullin e vetë, janë prezent në çdo cep të vendit”, shton Aliu për “Kosova Sot Online”.

Më tej, doktor Aliu shprehet se rrezik shumë i madh Kosovës i kanoset nga kushtëzimet që po i bëhen nga faktori ndërkombëtar për bisedimet me Serbinë, e që sipas tij, kjo qeveri do të sfidohet dhe do ta ketë të vështirë që t’ju rezistoj presioneve, sidomos në lidhje me taksën, reciprocitetin dhe dialogun.

“Në asnjë rast nuk po i vendosi në një nivel këta tre faktor, por për nga rreziku për qeverinë janë pothuajse të një niveli. Unë shpresoj që faktori ndërkombëtar të kuptoj që kjo qeveri duhet të lejohet që së pari të forcohet nga brenda në mënyrë që të mundë të jetë e suksesshme nga jashtë, e edhe në raport me Serbinë. Kjo qeveri ka nevojë për kohë sepse është sikur gjendja e individit menjëherë pas operimit. Kosova ka nevojë për një konferencë ndërkombëtare ku do të silleshin donacione për ri ngritjen ekonomike, sepse në vlerësimin tim Kosova është në një gjendje sikur të dilte nga një luftë shkatërruese”, thekson doktor Aliu për “Kosova Sot Online”.

Po ashtu, ai vlerëson se tani është koha që të aktivizohet edhe diaspora për ta ndihmuar zhvillimin më dinamik të shtetit të Kosovës, përmes kontributeve që mundë të jep në forma të ndryshme.

“Edhe diaspora duhet të ftohet për të kontribuar me investimet e vete, në mënyrë qe Kosova të bëhet një Zvicër e Ballkanit dhe kjo qeveri me njerëz të rinj, të jetë shpresa dhe shembulli më i mirë se si vendet e kapluara nga krimi e korrupsioni, duhet dhe mundë të ia dalin në ndryshimin e pushteteve me ndihmën e popullit. Dhe në funde, kjo qeveri, do të sjell paqe në rajon. Është një shembull brilant për fqinjët se si e reja duhet ta zëvendësoj të vjetrën në themelet e saj”, përfundon doktor Hysni Aliu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)