Alarm në Itali, mbi 100 të infektuar me koronavirus

  • 23 February 2020 - 12:57
Alarm në Itali, mbi 100 të infektuar me koronavirus

Numri i rasteve të koronavirusit vazhdoi të rritet të dielën, ndonëse qeveria i miratoi një varg të masave për ta penguar përhapjen e mëtejme.

Guvernatori i rajonit të Lombardisë, që shtrihet në pjesën veriore të Italisë, Attilio Fontana, tha se numri i rasteve në këtë rajon është rritur në 89 nga 54 sa ishte një ditë më parë. Kështu, numri i përgjithshëm i personave të infektuar shkoi në më shumë se 100.

Pas një mbledhjeje emergjente në orët e vona të së shtunës, qeveria miratoi masa të jashtëzakonshme për ndalimin e hyrjes dhe daljes së njerëzve nga rajonet e goditura më së rëndi nga koronavirusi.

Këto masa u miratuan vetëm disa orë pasi dy italianë vdiqën nga koronavirusi në veri të vendit, shkruan “Reuters”.

Një zëdhënës i guvernatorit të rajonit Veneto njoftoi se numri i personave të infektuar atje të dielën është rritur në 19.

Lombardia dhe Veneto, ku krijohet rreth 30 për qind e prodhimit vendor, janë pjesët më të goditura nga koronavirusi.

Në rajonin e Lombardisë shtrihet edhe qyteti i njohur i Milanit. Kryetari i këtij qyteti, Giuseppe Sala, njoftoi se të gjitha shkollat do të jenë të mbyllura të hënën.

Edhe universitet Lombardi dhe Veneto do të qëndrojnë të mbyllura deri në pjesën e parë të marsit.

Autoritetet i kanë anuluar edhe organizimet sportive, përfshirë tri ndeshje të ligës kryesore të futbollit, Serie A.

(Kosova Sot Online)