Suspendohet mësimdhënësi i PDK’së i cili rrahu nxënësin në Drenas

  • 24 February 2020 - 19:46
Suspendohet mësimdhënësi i PDK’së i cili rrahu nxënësin në Drenas

Drejtoria Komunale e Arsimit në Drenas ka suspenduar mësimdhënësin Driton Çelaj pasi i njëjti dyshohet se ka goditur një nxënës.

Në një video të publikuar, mësimdhënësi i Edukatës Qytetare shihet duke e goditur me shuplakë një nxënës.

Pas kësaj reagoi, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili kërkoi suspendimin e mësuesit, i cili që nga janari i këtij viti ishte anëtar i PDK’së.

“Pas kërkesës së kryetarit të Komunës, Ramiz Lladrovci, drejtuar Drejtorisë Komunale të Arsimit për marrjen e masave sipas Ligjeve të aplikueshme, kjo e fundit ka marr Vendim në bazë të kompetencave që ka, konfrorm Ligjit, deri në përfundimin e procedurave të Komisionit Disiplinor për suspendimin e mësimdhënësit i cili ka ushtruar dhunë fizike ndaj nxënësit. Komuna e Drenasit dhe Drejtoria Komunale e Arsimit, mbeten të përkushtuara në zbatimin e ligjeve dhe marrjen e masave për të gjithë ata që bien ndesh me to, në mënyrë që të krijohet një klimë e mirë dhe efikase në procesin edukativo e arsimor në të Institucionet Arsimore të Komunës së Drenasit”, thuhet në njoftim.

Kjo nuk është hera e parë që mësues në mbarë Kosovën shihen duke ushtruar dhunë fizike ndaj nxënësve.

(Kosova Sot Online)