Veseli i reagon Kurtit, nuk e përmend këmbimin e letrave Thaçi – Rassmusen

  • 26 February 2020 - 15:20
Veseli i reagon Kurtit, nuk e përmend këmbimin e letrave Thaçi – Rassmusen

Lideri i opozitës, Kadri Veseli ka deklaruar se është shqetësues fakti se si për herë të parë një kryeministër i Kosovës i kundërshton marrëveshjet e nënshkruara me NATO-n.

Veseli përmes një shkrimi të bërë në Facebook thotë se qëllimi i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe jo largimi i tyre nga Kosova.

Ai shton se sovraniteti i Kosovës nuk rrezikohet nga NATO dhe marrëveshjet e bëra me të, por, nga agresiviteti dhe kërcënimet e Serbisë.

“Gjatë luftës sonë çlirimtare, kam qenë vetë dëshmitar i veprimeve të kësaj Aleance, të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me ne, në interes të Kosovës, çlirimit të vendit tonë dhe kthimit të qindra mijëra qytetarëve të Kosovës në shtëpitë e tyre. Qëllimi ynë është anëtarësimi në NATO dhe jo largimi i tyre nga cilido cep i Kosovës. Sot, sovraniteti i Kosovës nuk rrezikohet nga NATO dhe marrëveshjet me NATO-n, por nga agresiviteti dhe kërcënimet e Serbisë. NATO është garanci e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës”, ka deklaruar kreu i PDK-së.


(Kosova Sot Online)