Kërkohet dënimi i rëndë për Hashim Thaçin: Ja kush duhet të veprojë...

  • 28 February 2020 - 07:37
Kërkohet dënimi i rëndë për Hashim Thaçin: Ja kush duhet të veprojë...

“Për këtë shkelje flagrante të kushtetutës, kryeministri ka njoftuar edhe Kuvendin e Kosovës dhe kryetaren Vjosa Osmani, kërkesë kjo që do duhej të ishte vetëm fillimi i hetimit të shkeljeve të shumta e të njëpasnjëshme nga Hashim Thaçi, për të cilat duhet të kërkohet pa vonesë mendimi i gjykatës kushtetuese dhe iniciohet pa vonuar, shkarkimi i tij urgjent nga pozita e presidentit, duke përfshirë këtu edhe tentativën për shkëmbim të territoreve me Serbinë për të cilën ka folur edhe vetë Hashim Thaçi dhe këtu, nuk ka më se çka të fshihet as mbulohet”, thotë Qarri për “Kosova Sot Online”.

Analistët politikë e kanë vlerësuar si një nga skandalet më të mëdha deri më tani që është zbuluar i dokumentuar nga Qeveria Kurti, marrëveshja e fshehtë e cila është nënshkruar në Bruksel në vitin 2013 nga ish kryeministri, tash President, Hashim Thaçi me sekretarin e përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, për ndalesën e FSK-së në Veri të Kosovës.

E lidhur me këtë dokument të bërë publik nga kryeministri Kurti dhe denoncimin e tij në Prokurori, ka folur për “Kosova Sot Online” analisti politik, Gani Qarri, i cili kërkon që pa vonesë të veprohet për adresimin e përgjegjësisë kushtetuese për shkarkim.

Image
Gani Qarri

“Asistenti besnik i Aleksandër Vuçiqit në Kosovë dhe presidenti i shitur i vendit, Hashim Thaçi, përderisa ishte në krye të qeverisë më 2013 jo vetëm se ka nënshkruar në marrëveshje antikushtetuese por edhe kishte fshehur aktin e nënshkruar, marrëveshje sekrete dhe kundërligjore me zotim të njëanshëm të kuislingut Thaçi se FSK, nuk do të shkojë në Veri të vendit. Duke pasur parasysh veprimin e paprecedent dhe peshën e rëndë të shkeljes kundërligjore, nga Hashim Thaçi, do duhej detyrimisht, që nga fillimi, në këtë rast flagrant të involvohej dhe jepte verdiktin ligjor, drejtpërsëdrejti vet Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, thotë analisti politik, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Qarrit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me të drejtë ka kërkuar nga kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi të nisë hetimet e menjëhershme kundër presidentit renegat të vendit, Hashim Thaçit, lidhur me marrëveshjen antiligjore që ai si kryeministër e kishte nënshkruar me sekretarin e përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, marrëveshje kjo e cila nuk ia lejon Kosovës që t’i dërgojë forcat e FSK-së në veri të Kosovës.

“Ndaj dhe prokurori i Shtetit, i cili dikur, i ndërsyer nga vet Thaçi e ndiqte kudo Albin Kurtin me shokë, tani është i detyruar që në bazë të ligjit të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme edhe për hetimin dhe ndjekjen penale të kuislingut Hashim Thaçi, për nënshkrimin e marrëveshjeve të dëmshme, rrezikimin territorial të Kosovës dhe veprimet tjera kundërligjore të tij”, shton Qarri për “Kosova Sot Online”.

Më tej, Qarri thotë se fjalën e fundit për këtë rast duhet ta japin pa vonesë Gjykata Kushtetuese dhe Kuvendi i Kosovës, pasi që marrëveshja e nënshkruar është bërë publike dhe dërguar edhe deputetëve të Kuvendit dhe kryetares, Vjosa Osmani.

“Për këtë shkelje flagrante të kushtetutës, kryeministri ka njoftuar edhe Kuvendin e Kosovës dhe kryetaren Vjosa Osmani, kërkesë kjo që do duhej të ishte vetëm fillimi i hetimit të shkeljeve të shumta e të njëpasnjëshme nga Hashim Thaçi, për të cilat duhet të kërkohet pa vonesë mendimi i gjykatës kushtetuese dhe iniciohet pa vonuar, shkarkimi i tij urgjent nga pozita e presidentit, duke përfshirë këtu edhe tentativën për shkëmbim të territoreve me Serbinë për të cilën ka folur edhe vetë Hashim Thaçi dhe këtu, nuk ka më se çka të fshihet as mbulohet”, përfundon Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)