Rekord i rasteve të reja të koronavirusit në Korenë Jugore

  • 29 February 2020 - 08:30
Rekord i rasteve të reja të koronavirusit në Korenë Jugore

Koreja Jugore e ka regjistruar numrin më të madh të infektimeve të reja me koronavirus brenda një dite me 594 persona të infektuar.

Kjo rritje e çon në 2931 numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara të koronavirusit në shtetin e largët aziatik. Këto shifra u dhanë nga Qendra për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e Koresë Jugore.

Ndryshe, shtatë persona kanë vdekur nga virusi i ri në këtë shtet deri më tani.

Shumica e rasteve të reja të koronavirusit Covid-19 u konfirmuan në qytetin Daegu, që shtrihet në pjesën juglindore të vendit dhe që ka qenë epiqendër e virusit.

Në mbarë botën, deri tash janë infektuar më shumë se 83 mijë persona, shumica në Kinë, ku 2791 njerëz kanë vdekur, shkruan “BBC”.

Rastet e para të koronavirusit së fundi u konfirmuan edhe në Bjellorusi, Lituani, Holandë, Zelandë të Re dhe Nigeri. Shumë shtete kanë vendosur masa të rrepta të kontrollit dhe kufizime të konsiderueshme në sektorin e udhëtimeve.

Kryetari i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom, tha se frika dhe keqinformimi janë dy ndër sfidat më të mëdha që po ndikojnë për të keq në luftën kundër koronavirusit.

(Kosova Sot Online)