Putini synon t’i ndalojë me kushtetutë martesat e gjinisë së njëjtë

  • 03 March 2020 - 10:20
Putini synon t’i ndalojë me kushtetutë martesat e gjinisë së njëjtë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka dorëzuar një draft të ndryshimeve në kushtetutën ruse, me të cilat martesa do të përshkruhet si bashkimi i një burri dhe një gruaje.

Kjo masë raportohet të jetë pjesë e një dokumenti me 24 faqe, të cilin parashihen edhe ndryshime të tjera, përfshirë vlerësimin e Rusisë si pasardhëse e Bashkimit Sovjetik, përmendjen e besimit të rusëve në Zot dhe mbrojtjen e të vërtetës historike sa i përket rolit të Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore.

“Për mua, propozimi më i rëndësishëm është ai që e përshkruan statusin e martesës si bashkim mes një burri dhe një gruaje”, tha Pyotr Tolstoy, zëdhënës i Dumës, shkruan “The Guardian”.

Rusia është duke planifikuar që ta ndryshojë kushtetutën për herë të parë që nga viti 1993. Kjo lëvizje fillimisht ishte vlerësuar si metodë e Putinit për t’ia zgjatur pushtetin vetes edhe pas vitit 2024. Pas votimit të propozimeve për ndryshime në kuvend, mendimin për to do ta japin edhe qytetarët rus përmes referendumit.

Përkrahja e drejtpërdrejtë që presidenti rus ua ka dhënë këtyre propozimeve lë të kuptohet se ato me shumë gjasë do të miratohen. Ai e gëzon edhe përkrahjen e Kishës Ortodokse Ruse në lidhje me ndryshimet për përshkimin e martesës.

(Kosova Sot Online)