Mediat botërore shkruajnë që Serbia s’po e ndalë presionin ndaj Kosovës

  • 03 March 2020 - 12:38
Mediat botërore shkruajnë që Serbia s’po e ndalë presionin ndaj Kosovës

Serbia e ka vazhduar presionin rreth njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, ndonëse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë shtuar përpjekjet për arritjen e paqes afatgjate mes armiqve të luftës, shkruan “Bloomberg”.

Serbia njoftoi të martën se Sierra Leone e ka tërhequr njohjen e Kosovës, duke e bërë shtetin e tetëmbëdhjetë që ka vepruar në këtë mënyrë, ndonëse shtetet perëndimore gjerësisht e konsiderojnë Kosovën si shtet të pavarur.

Kjo lëvizje mund t’i ndërlikojë përpjekjet për ndërmjetësim vetëm disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara e këshilluan Kosovën që ta anulojë taksën 100 për qind ndaj importeve nga Serbia, e cila është vendosur nga viti 2018. Serbia dhe Kosova duhet t’i zgjidhin dallimet para se t’i përmbushin qëllimet për anëtarësim në BE.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri ofertë që ta largojë gradualisht taksën, nëse Serbia e ndal fushatën kundër sovranitetit të Kosovës. Por presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, dhe i dërguari amerikan për rajonin, Richard Grenell, kërkuan që taksa të hiqet pa kushte.

“E presim largimin e taksës në mënyrë që të mund ta vazhdojmë dialogun”, tha Vuçiqi në orët e vona të së hënës në Uashington pas takimit me Grenell-in, këshilltarin për siguri kombëtare, Robert O’Brien, dhe këshilltarin e lartë të Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner, sipas transmetuesit publik serb, RTS.

Kurti është kritikuar ashpër në Kosovë për ofrimin e largimit të taksës para se Serbia ta njohë Kosovën si shtet sovran. Por partnerët e tij qeveritarë e kanë kundërshtuar refuzimin e këshillave të Shteteve të Bashkuara, përkrahësen kryesore të pavarësisë së shtetit më të ri evropian.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha në një forum biznesor të organizuar nga Serbia se Kosova mund ta rishqyrtojë pozicionin e saj për taksën gjatë kësaj jave.

“Të gjithë pajtohen që taksa duhet të hiqet, por dallojnë mekanizmat dhe korniza kohore”, tha ai.

(Kosova Sot Online)