Franca mbyll 120 shkolla shkaku i koronavirusit

  • 03 March 2020 - 14:52
Franca mbyll 120 shkolla shkaku i koronavirusit

Zyrtarët francezë i kanë mbyllur rreth 120 shkolla në zonat ku janë raportuar më së shumti raste të personave të infektuar me koronavirusin Covid-19. Ministri i arsimit, Jean-Michel Blanquer, paralajmëroi se ky numër mund të rritet në ditët në vijim.

Disa shkolla fillore dhe të mesme janë mbyllur në rajonin Oise, që shtrihet në pjesën veriore të Parisit. Në këtë vend janë shënuar dy viktima nga koronavirusi.

Mbyllja e shkollave në këtë pjesë i ka prekur rreth 35 mijë nxënës, ndërsa nëntë mijë të tjerëve u është kërkuar qëndrimi në shtëpi në rajonin Morbihan.

Shkollat në Oise do të qëndrojnë të mbyllura deri në një vendim të ardhshëm, ndërsa shkollat në rajonin Morbihan nuk do të hapen deri më 14 mars.

Autoritetet tashmë kanë marrë vendim për anulimin e të gjitha shëtitjeve shkollore jashtë vendit dhe i kanë ndaluar tubimet me më shumë se 5 mijë persona në vende të mbyllura.

Sidoqoftë, ministri i arsimit tha se qeveria nuk ka plane për mbylljen e shkollave në tërë vendin, shkruan “France24”.

Ndryshe, presidenti Macron e ka anuluar pjesëmarrjen në disa organizime për t’u përqendruar në luftën kundër koronavirusit.

(Kosova Sot Online)