Hoti edhe një porosi Kurtit: S’lejojmë paralizë të institucioneve për shkak të tarifës

  • 04 March 2020 - 11:48
Hoti edhe një porosi Kurtit: S’lejojmë paralizë të institucioneve për shkak të tarifës

Zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se qasja e Serbisë karshi Kosovës nuk është diçka e re, duke bërë kështu thirrje që të mos bllokohet agjenda e dialogut për shkak të taksës.

Hoti tutje ka thënë se nuk do të lejojnë që Kosova të futet në geto për shkak të tarifës, derisa ka shtuar se agjenda e Qeverisë së re në Prishtinë mund të ketë sukses vetëm në rast se bashkëpunohet me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.

“Angazhimi i Serbisë për defaktorizimin e subjektivitetit të Kosovës është sistematik, që tregon se ajo është kundër marrëveshjes për normalizim. Kjo nuk është gjë e re.I ri është konteksti politik në Kosovës, ku institucione e reja që kanë legjitimitet të plotë qytetarë tani marrin përsipër agjendën e dialogut dhe politikës së jashtme.Është e qartë se kjo agjendë e qeverisë së re mund të ketë sukses vetëm në koordinim SHBA dhe BE.Paralizimi eventual i institucioneve të reja të Kosovës karshi këtyre temave për shkak të kauzave pseudopolitike, siç është tarifa, na shpie në getoizim. Ne nuk do të lejojmë getoizimin e Kosovës, sepse kjo i lë hapësirë Serbisë të dëmtojë pozitën tonë ndërkombëtare”, ka shkruar Hoti.

Ky reagim i Hotit ka ardhur pas zhvillimeve të djeshme kur ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Dacic, prezantoi një letër përmes të cilës pretendonte se Sierra Leone ka tërhequr njohjen për Kosovën, zhvillim ky që nxiti edhe reagimin e kryeministrit Albin Kurti.

Kurti në një reagim të bërë në Twitter ka rikujtuar se vetëm pak ditë më parë kishte shprehur vullnet të mirë për ta hequr pjesërisht taksën, ndërkohë ka pyetur se pse Serbia vazhdon agjendën e saj kundër pavarësisë së Kosovës edhe përkundër një vendimi të tillë për tarifën. 

(Kosova Sot Online)