Thaçi planifikon t’ thërras krerët e partive, a do t’i shkojnë?

  • 04 March 2020 - 14:37
Thaçi planifikon t’ thërras krerët e partive, a do t’i shkojnë?

Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit ia pamundësuan në kryesi të Kuvendit që të dalë para deputetëve për të raportuar lidhur me vizitën në Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, i pari i shtetit tha se do të dalë në konferencë për media, në të njëjtën orë kur e kishte planifikuar që të fliste edhe para deputetëve.

Nga presidenca kanë deklaruar se presidenti do të dalë në konferencë për media sot prej orës 16:00, për t’i njoftuar për takimet që kishte pasur në Amerikë.

“Presidenti Thaçi mban konferencë për media në orën 16:00. Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot (4 mars 2020), në orën 16:00, do të mbajë konferencë për media”, thuhet në njoftimin për media.

Derisa Thaçi sot do të informojë për takimet e tij përmes paraqitjes publike në presidencë, ai ka paralajmëruar se çka ka ndodhur në Washington do t’i njoftojë edhe liderët e partive në vend, përfshirë këtu edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, duke i thirrur në takim.

Kështu ka deklaruar sot gjatë ditës, duke shtuar se do t’i ftojë të gjithë liderët e partive politike në vend, ani pse nuk dihet se si do t’i përgjigjen këta të fundit.

“Nëse më pamundësohet sot raportimi unë do ta bëjë kërkesës tjetër sepse askush nuk është pronar i Kuvendit dhe nuk mund ta uzurpohet.  Kam kërkuar edhe në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti këtij viti që ta informoj kuvendin për punët e mia por më është pamundësuar. Do t’i ftoj të gjithë liderët e partive të spektrit politik kosovar, përfshirë kryetarin e Vetëvendosjes, të LDK-së, të PDK-së, të AAK-së, Pacollin…”, ka thënë ai.

Thaçit i është pamundësuar që të raportojë sot në Kuvend të Kosovës, pasi që kryeparlamentarja Vjosa Osmani përmes një letre që i ka nisur atij ka deklaruar se kërkesa do të duhej të ishte dërguar disa ditë më herët, në mënyrë që Kuvendi të kishte më shumë kohë për të bërë përgatitjet.

Ajo ka thënë se do të jenë të angazhuar lidhur me përgatitjet për Epopenë e UÇK-së, e se seanca mund të mbahet pas datës 9 mars.

(Kosova Sot Online)