Veliu vs. Vetëvendosje, kush po i mbushë sallat më shumë në Llap

  • 04 March 2020 - 15:38
Veliu vs. Vetëvendosje, kush po i mbushë sallat më shumë në Llap

Dy partitë të cilat bashkë qeverisin në nivelin qendror, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, do të jenë kundërshtare dhe rivale të ashpra të njëra-tjetrës në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 15 mars në Podujevë.

Gara do të jetë shumë e nxehtë për arsye se Lidhja Demokratike e Kosovës synon të mbajë pushtetin në Llap pa Agim Veliun kandidat, ndërkohë partia e Albin Kurtit synon të fitojë Podujevën duke e kandiduar për kryetar një ish bashkëpartiak të Veliut.

Shkëndijat e para të një gare të fortë janë dhënë qysh në minutat e parë të fillimit të fushatës. Agim Veliu tashmë Ministër i Punëve të Brendshme nga selia e partisë së tij në Podujevë krah për krah me kandidatin për kryetar, Nexhmi Rudarin, e kishte quajtur partinë e Kurtit si subjektin politik më anti-rugovist në Kosovës.

Përveç kësaj, Veliu kishte sulmuar Shpejtim Bulliqin si një njeri që e ka tradhtuar LDK’në. Veliu ka thënë se Bulliqi ishte larguar nga partia me arsyetimin se s’po i jepet mundësi ta mbrojë rugovizmin, ndërkohë i është bashkuar subjektit më anti-rugovsit në Kosovë.

“Do ta kemi një kundër-kandidat që ka ikë nga LDK, e ka tradhtuar LDK-në, në momentin kur nga LDK i ka fituar të gjitha të mirat, të gjitha beneficionet. Edhe ka ikë me arsyetimin se nuk ka hapësirë që ta mbrojë e ta zhvillojë rugovizmin dhe ka dalë në subjektin politik, i cili është subjekti më anti-rugovist në Kosovë”, ka thënë Veliu.

Bulliqi para fillimit zyrtar të fushatës ndërkohë kishte thënë se do të fitojë në Podujevë, meqenëse sipas tij do të merrte vota edhe nga një pjesë e elektoratit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Përveç këtyre deklarimeve, dje mes LDK’së dhe Vetëvendosjes është parë edhe një garë me fotografi nëpër rrejte sociale, teksa secili subjekt politik synonte të tregonte se kush ka mbështetje më të madhe.

Nga LDK’ja zyrtarisht thonë se Podujeva do të mbetet bastioni i pathyeshëm i LDK;së.

“Pamje nga hapja zyrtare e fushatës në Podujevë. Podujeva do të mbetet bastion i pathyeshëm i LDK-së.Vazhdojmë me Nexhmi Rudari, kryetar i Komunës së Podujevës”, thuhej në përshkrimin që partia e Mustafës u ka vendosur fotografive nga hapja e fushatës.

Derisa nga Lëvizja Vetëvendosje në hapjen e fushatës për garën në Podujevë kanë përdorur slloganin e tyre me të cilin kanë dalë fitimtar në zgjedhjet e përgjithshme të 6 tetorit.

“Erdhi dita për komunën”, është sllogani i VV’së.

Shpejtim Bulliqi ndërkohë në fjalën e tij gjatë hapjes së fushatës ka thënë se do të ndalin praktikat nepotiste dhe korruptive të ish-kryetarit Agim Veliu dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës me të cilat kanë qeverisur deri tani Podujevën.

Derisa Agim Veliu nga Podujeva i dërgonte mesazhe Bulliqit, duke i thënë se LDK’ja do të fitojë bindshëm dhe se s’do të ketë mundësi balotazhi.

(Kosova Sot Online)