Tregon analisti: Kjo është e vërtetë pse Kosovarët vazhdojnë të mbeten pa liberalizim të vizave

  • 05 March 2020 - 07:52
Tregon analisti: Kjo është e vërtetë pse Kosovarët vazhdojnë të mbeten pa liberalizim të vizave

“Sistemi i drejtësisë nuk ka pas vullnet, e as guxim për t’iu dhënë epilog 61 rasteve të shënjestruara të profilit të lartë të krimit të organizuar dhe të korrupsionit ku nuk janë dorëzuar prova për përfundimin e tyre gjyqësore. Se ky sistem i drejtësisë është i kalbur krejtësisht dhe funksionimi i tij është vetëm sa për ti shërbyer politikës dhe partive të caktuara politike, në veçanti atyre të të ashtuquajturit “krahu i luftës”, është rasti i “Veteranëve” dhe procesi gjyqësor ndaj klanit “PRONTO”, si dhe raste të tjera të cilat nuk mund t’i ikën “llupës” nga Brukseli dhe ndëshkimit që iu është bërë vendit me mos përfshirjen e qytetarëve tanë në lirinë e lëvizjes në zonën Shengen”, thotë Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

Raportimi i parë, i ministrit për Integrime Blerim Reka, para komisionit të Kuvendit të Kosovës, e ka nxjerr për diskutim dhe analizë, edhe një herë shkakun e vërtetë dhe të vetëm, pse Kosova dhe qytetarët e saj po vazhdojnë të mbeten të vetmit në Ballkan, të izoluar dhe pa liberalizim të vizave për lëvizjen e lirë në zonën shenjen.

Ministri i ri Reka e ka fajësuar drejtësinë Kosovare, për siç ka thënë ai se janë 61 rasteve të profilit të lartë të korrupsionit nga të cilat akoma nuk është përfunduar asnjë, prandaj edhe ka hezitim nga disa vendeve të BE-së që të japin votën e tyre pro heqjes së vizave për Kosovaret. “Në këtë drejtim po ashtu theksova edhe procesin e Liberalizimit të Vizave ku potencova edhe një herë çështjen e 61 rasteve të shënjestruara të profilit të lartë të krimit të organizuar dhe të korrupsionit ku nuk janë dorëzuar prova për përfundimin e tyre gjyqësore, gjë e cila po kërkohet prej shteteve hezituese në vendimmarrjen e tyre pozitive të liberalizimit të vizave”, ka thënë ministri Blerim Reka.

E nga ana tjetër Prokuroria e Shtetit ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit , ku sipas prokurorisë, deklarimet e Rekës nuk janë të sakta. Përmes një komunikate drejtuar medieve, Prokuroria ka njoftuar se 61 raste të shënjestruara, 48 prej tyre janë me aktakuza, ndërkaq, për 32 janë ngritur aktakuza që përkasin natyrës korruptive ku janë të përfshirë 229 persona të ndryshëm janë duke u proceduar e zhvilluar. “Gjithashtu, nga 61 rastet e përgjithshme, 16 raste janë me aktakuza që i përkasin natyrës së krimit të organizuar, ku janë të përfshirë 155 persona. Ndërkaq, 14 raste kanë vendim të formës së prerë, 17 raste janë vendosur në shkallë të parë, 17 raste i kemi me shqyrtim gjyqësor, 8 raste janë në fazën e hetimeve ku janë të përfshirë 99 persona, për 4 raste kanë pushuar hetimet ku kanë qenë të përfshirë 11 persona, si dhe 1 rast me pezullim të hetimeve ku është i përfshirë 1 person”, thuhet në komunikatë.

Mirëpo analistët politikë, këtë arsyetim të Prokurorisë e vlerësojnë aspak të besueshëm dhe aspak real, pasi që i gjithë procesi i trajtimit të këtyre rasteve, do të duhej përmbyllur me rezultat konkret, me dënimet meritore, që para se të merrej vendimi për vizat nga Komisioni Evropian, për të mos pasur pastaj pengesa dhe dyshime nga Këshilli i Ministrave të BE-së.

Analisti politik Nexhat Haziri e konsideron këtë zvarritje taktike të qëllimisht nga ndërhyrjet politike për të blerë kohë dhe për ti nxjerr pastaj aktorët e përfshirë në këto raste si të pa fajshëm. Sipas Hazirit, ku është edhe qëllimi pse Prokuroria e Shtetit po i fshehë këto raste për ti bërë emrat publike, nuk i bënë publik rastet dhe veprat, nuk tregon cili është kryesi apo bashkëpjesëmarrësit në grup të kryerjes së saj, nëse vërtetë qëndrojnë këto të dhëna statistikore më të cilat pretendohet të kundërshtohet deklarata e ministrit Reka.

Image
Nexhat Haziri

" Liberalizimi i vizave për Kosovën është peng i mosfunksionimit të shtetit ligjor, dhe mbase është më së e vërtetë deklarata e ministrit të Integrimeve Blerim Reka, i cili për ngecjen e vendit në këtë proces e ka adresuar drejtë fajin tek institucionet e drejtësisë. Kjo edhe faktohet në të gjitha raportet, qoftë ai i progresit, qoftë raportet nga DASH-i, por edhe të raporteve të tjera nga organizma dhe institute relevante ndërkombëtare, institucionet e drejtësisë në Kosovë, kanë qenë të shenjëzuara si njollat e zeza në regresin e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit. Pra asnjëherë qeveritë e kaluara nuk kanë mundur ta fshehin faktin në raport me Brukselin, ndikimin politik, por edhe të para politikës së partive të caktuara që kanë pasur mbi institucionet e drejtësisë në vendin tonë”, thotë Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Nexhat Hazirit bartës kryesor i përgjegjësisë për këtë dështim të madh është sistemi i drejtësisë, prokurori dhe gjyqësor, që të ndikuar nga politika nuk kanë guxuar dhe nuk guxojnë akoma ti bëjnë transparente këto raste, ti trajtojnë me procedurë të veçantë të përshpejtuar dhe të ju japin epilogun meritor, ndëshkimin sipas ligjit.

“Sistemi i drejtësisë nuk ka pas vullnet, e as guxim për t’iu dhënë epilog 61 rasteve të shënjestruara të profilit të lartë të krimit të organizuar dhe të korrupsionit ku nuk janë dorëzuar prova për përfundimin e tyre gjyqësore. Se ky sistem I drejtësisë është i kalbur krejtësisht dhe funksionimi I tij është vetëm sa për ti shërbyer politikës dhe partive të caktuara politike, në veçanti atyre të të ashtuquajturit “krahu i luftës”, është rasti i “Veteranëve” dhe procesi gjyqësor ndaj klanit “PRONTO”, si dhe raste të tjera të cilat nuk mund t’i ikën “llupës” nga Brukseli dhe ndëshkimit që iu është bërë vendit me mos përfshirjen e qytetarëve tanë në lirinë e lëvizjes në zonën Shengen”, thotë Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)