Hoti takon ambasadorin italian që përkrahu Kurtin për heqjen e pjesshme të taksës

  • 05 March 2020 - 15:52
Hoti takon ambasadorin italian që përkrahu Kurtin për heqjen e pjesshme të taksës

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje ende s’kanë gjetur konsensus rreth çështjes së taksës 100 %. Nga partia e Isa Mustafës po kërkojnë që taksa të hiqet siç thotë Amerika, ndërkohë në anën tjetër Kurti pavarësisht kërkesës amerikane, më 27 shkurt ka vendosur ta heq taksën ndaj Serbisë vetëm pjesërisht.

Këtë vendim të 27 shkurtit të Qeverisë Kurti nuk e ka pritur fare mirë emisari i Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, derisa BE-ja, Britania e Madhe dhe Italia e kanë përkrahur plotësisht një vendim të tillë të kryetarit të qeverisë.

Qëndrimin e Italisë pro vendimit të Kurtit për heqje të pjesshme të taksës e kishte shprehur ambasadori Italian në Prishtinë, Nicola Orlando.

E pak ditë pas atij qëndrimi në përkrahje të Kurtit, ambasadorin italian e ka pritur në zyrë zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili është edhe një nga zërat më të fortë brenda LDK’së se taksa duhet të hiqet siç po thotë Grenelli dhe Amerika.

Takimin Orlando-Hoti e kanë konfirmuar përmes një komunikate për media të lshuar nga vetë zyra e zëvendëskryeministrit, megjithatë në të nuk janë treguar fare detaje të bisedës.

Por ka qenë vetë ambasadori italian i cili ka treguar detaje rreth bisedës. Ai ka thënë se në takim kanë diskutuar rreth integrimit të Kosovës në Bashkim Evropian dhe për nevojën urgjente të rinisjes së dialogut me Serbinë.

(Kosova Sot Online)