Kështu raportonte QIK’u për masakrën në Familjen Jashari

  • 06 March 2020 - 08:18
Kështu raportonte QIK’u për masakrën në Familjen Jashari

Më 5 mars të vitit 1998, Qendra për Informim e Kosovës raportonte se në 6:30 të mëngjesit, forca të mëdha serbe po bëheshin gati për të sulmuar fshatrat Prekaz dhe Llaushë të Skenderajt me autoblinda, picgauerë dhe xhipa.

“GJENDJE DRAMATIKE NË LLAUSHË E NË PREKAZ. Forcat serbe ua kanë mësyrë fshatrave”, titullohej njoftimi.

Për të sulmuar fshatrat Prekaz dhe Llaushë të Skenderajt, forcat serbe kishin filluar depërtimin në orën pesë të mëngjesit.

“Forca të mëdha serbe po bëhen gati për të sulmuar fshatrat Prekaz dhe Llaushë të Skenderajt. Një dëshmitar i besueshëm në Llaushë i tha QIK-ut se forcat serbe në formacione ofensivë këmbësorie po i afrohen fshatit të tij nga tri anët e malit. Depërtimi ka filluar në orën pesë të mëngjesit”, fillonte njoftimi i QIK-ut.

Në drejtim të Skenderajt forcat serbe po vinin edhe nga Mitrovica e Gllogoci.

“Burimet e LDK-së njoftojnë për një gjendje të njëjtë edhe në fshatin Prekaz i Ulët. Ndërkohë nga Mitrovica e Gllogoci njoftohet se forca të mëdha serbe po shkojnë në drejtim të Skenderajt”, shkruhej në njoftim.

“Një burim i LDK-së në Gllogoc i tha QIK-ut në orën 6,30 se drejt Skenderajt janë nisur autoblinda me picguerë dhe xhipa. Në orën 7 ky burim tha se në Gllogoc kishin arritur autobusë me policë dhe kamionë. Në orën 7:20 një burim nga Skenderaj tha se forca të mëdha serbe me tanke e autoblinda po arrijnë vazhdimisht për rreth fshatit Lalushe”.

Krismat e para të armëve u dëgjuan në orën 7:25 të mëngjesit.

“Një burim nga Prekazi tha në orën 7:25 se moment po dëgjoheshin krisma armësh”, thuhej në njoftim.

Banorët e fshatrave të Skenderajt po vetorganizoheshin në mbrojtje të familjeve dhe shtëpive të tyre.

“Burime të LDK-së në Skenderaj thonë se pas masakrave të forcave serbe në Likoshan e Qirez, fshatarët e Llaushës e të Prekazit do të vetorganizohen në mbrojtje të familjeve dhe të shtëpive të tyre”, njoftonte QIK.

Ndërsa LDK-ja e Skenderajt u dërgon apel ndërkombëtarëve që të ndërhyjnë për të evituar masakrën e banorëve nga forcat serbe.

“Dega e LDK-së në Skenderaj dhe qytetarët e Drenicës u dërgojnë apel dramatik faktorëve ndërkombëtarë që të ndërhyjnë urgjentisht për të evituar një masakër të forcave serbe. Ora 7:30.”, përfundon njoftimi i Qendrës Informuese të Kosovës.

(Kosova Sot Online)