NISMA bën homazhe në Prekaz, Limaj thotë se Adem Jashari i priu epokës së lirisë

  • 06 March 2020 - 12:27
NISMA bën homazhe në Prekaz, Limaj thotë se Adem Jashari i priu epokës së lirisë

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i shoqëruar nga strukturat drejtuese të këtij subjekti kanë bërë homazhe në Prekaz me rastin e 22 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Clirimtare të Kosovës.

Limaj me këtë rast ka thënë se sikur në cdo përvjetor tjetër janë këtu për të nderuar jetën dhe veprën e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari në përgjithësi. Ai ka thënë se në këtë vend ka marrë jetë liria e Kosovës.

“Vendin ku 22 vite me parë është ndarë epoka e robërisë duke u futur në epokën e lirisë e për epokën e lirisë ka qenë dashtë sakrificë e madhe. Komandanti legjendar ishte prijës i kësaj epoke, na futi në epokën e lirisë dhe të krenarisë e dinjitetit”, ka thënë ndër të tjera Limaj.

Me tutje, ai ka thënë se pas Adem Jasharit u rreshtuan qindra mijëra shqiptarë anëkend trojeve shqiptare, sikurse pas tij shkuan mijëra dëshmorë të kombit duke iu përgjigjur kushtrimit për liri.

Pas homazheve, delegacioni i Nismës është pritur në kullën Jasharaj ku janë pritur nga Rifat Jashari, i cili i falëndëroi për vizitën.

(Kosova Sot Online)