Austria ua ndalon hyrjen italianëve shkaku i koronavirusit

  • 10 March 2020 - 13:58
Austria ua ndalon hyrjen italianëve shkaku i koronavirusit

Austria ua ka ndaluar hyrjen të gjithë italianëve që nuk kanë certifikatë mjekësore, me të cilën vërtetojnë se nuk janë të infektuar me koronavirus.

Duke folur pas vendimit të qeverisë italiane për kufizime në udhëtime, kancelari austriak, Sebastian Kurz, tha se austriakët që kthehen nga Italia duhet të vendosen në karantinë për dy javë.

Deri më tani, në Austri janë konfirmuar 158 raste të infektimeve me koronavirus. Kancelari austriak tha se numri është ende shumë i vogël, por sëmundja është vdekjeprurëse.

Austria dhe Italia kanë kufi të përbashkët në rajonin e Tirolit Jugor. Të martën, të gjitha qendrat kulturore u mbyllën në këtë rajon, njësoj si në pjesën tjetër të vendit.

Operatorët e qendrave turistike e mbyllën para kohës së planifikuar sezonin dimëror dhe u pajtuan që ta shtyjnë fillimin e sezonit turistik pranveror, shkruan “BBC”.

Italia është shteti evropian më i prekur nga koronavirusi. Ky vend është vendosur në izolim të plotë dhe të gjitha aktivitetet e jetës publike janë anuluar.

(Kosova Sot Online)