Ilaçi eksperimental kundër koronavirusit tregohet efektiv gjatë testimit

  • 11 March 2020 - 13:30
Ilaçi eksperimental kundër koronavirusit tregohet efektiv gjatë testimit

Një kompani amerikane e bioteknologjisë e ka shtuar prodhimin e një ilaçi eksperimental, i cili është vënë në qendër të vëmendjes për shpresat rreth trajtimit efektiv për koronavirusin.

Raporti përfundimtar për testimin klinik të ilaçit të quajtur Remdesivir te pacientët e infektuar me virusin Covid-19 do të publikohet muajin e ardhshëm. Megjithatë kompania prodhuese tashmë ka raportuar se e ka rritur prodhimin, shkruan “The Guardian”.

Në kohën kur koronavirusi është përhapur me të madhe, rreth 300 teste klinike me ilaçe të ndryshme janë duke u kryer në mungesë të ndonjë trajtimi të konfirmuar për shërim. Në shumë raste po përdoret Remdesiviri, i cili fillimisht ishte krijuar për ta trajtuar Ebolën.

Përderisa po priten rezultatet e këtyre testeve klinike, mjekët në Shtetet e Bashkuara, Kinë dhe Itali tashmë po e përdorin këtë substancë për ta trajtuar një numër të vogël të pacientëve, të cilët ndodhen në gjendje të rëndë nga virusi Covid-19.

Pacienti i parë amerikan, një burrë 35-vjeçar nga Uashingtoni, u shërua, por nevojiten teste të plota për të vlerësuar nëse ky ilaç e zvogëlon ashpërsinë e simptomave dhe, më e rëndësishmja, nëse e ul shkallën e vdekshmërisë.

David Ho, profesor në Universitetin e Kolumbisë dhe specialist i sëmundjeve ngjitëse, pajtohet se Remdesiviri është ilaçi më premtues. “Në Nju Jork, e kemi një rast në spitalin tonë tash për tash dhe po përpiqemi të kemi qasje në këtë ilaç për pacientin tonë që është në gjendje kritike”, tha ai.

Ky ilaç është duke u vlerësuar për efektet e tij në disa raste. Dy rastet e para filluan në Kinë në pjesën e parë të shkurtit dhe një tjetër në Shtetet e Bashkuara. Dy teste të tjera pritet të fillojnë këtë muaj në Azi dhe në disa shtete me numër të lartë të personave të infektuar.

Sidoqoftë, Remdesiviri nuk është ilaçi i vetëm që po testohet për shërimin e virusit të ri. Në mesin e substancave që po testohen janë edhe ilaçet që përdoren për trajtimin e virusit HIV dhe ato që përdoren për trajtimin e hepatitit dhe malaries.

(Kosova Sot Online)