Mbyllja e shkollave në veri përplas Veliun me Gjuriqin

  • 12 March 2020 - 14:47
Mbyllja e shkollave në veri përplas Veliun me Gjuriqin

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës që udhëhiqet nga Agim Veliu dhe zyra e ashtuquajtur për Kosovën në qeverinë e Serbisë kanë dhënë versione të ndryshme sa i përket mbylljes së shkollave në veri të vendit, pas vendimit që mbrëmë mori qeveria.

Nga MPB-ja kanë bërë të ditur se shkollat në gjuhën serbe janë mbyllur pas vendimit të mbrëmshëm të qeveri të Kosovës. 

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, për këtë çështje është takuar sot edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Veliu aty ka deklaruar se në vendimin e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e shkollave deri më 27 mars, përfshihet edhe veriu i Kosovës, e se për këtë kanë kërkuar edhe nga policia e Kosoëvs që të marrin të gjitha veprimet e nevojshme.

Sipas MPB-së, në këtë takim “është konstatuar që tashmë janë bërë të gjitha veprimet e duhura dhe tashmë të gjitha ato shkolla janë të mbyllura dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura, deri në vendimin tjetër të Qeverisë së Kosovës”.

Megjithatë, të kundërtën e kanë deklaruar sot në qeverinë e Serbisë. Nga zyra e ashtuquajtur për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka deklaruar se shkollat në veri ku mësohet në gjuhën serbe do të mbyllen nga e hëna.

Pra ai ka deklaruar se sot dhe nesër mësimi do të zhvillohet normalisht.

Ai ka thënë se Qeveria e Serbisë ka marrë këtë vendim “duke parë situatën specifike në Kosovë dhe duke pasur parasysh se sistemi shëndetësor jashtë mjedisit serb nuk është i zhvilluar”.

Se në shkollat në veri sot është zhvilluar mësimi normalisht kanë bërë të ditur edhe mediat që sot kanë raportuar nga ajo pjesë.

(Kosova Sot Online)