Dënohet me varje japonezi që i mbyti në gjumë 19 persona me nevoja të veçanta

  • 16 March 2020 - 09:22
Dënohet me varje japonezi që i mbyti në gjumë 19 persona me nevoja të veçanta

Një burrë japonez, i cili i kishte therur për vdekje 19 banorë të një qendre për persona me nevoja të veçanta, është dënuar me vdekje nga autoritetet e drejtësisë.

Satoshi Uematsu, banor i Tokios, e kishte kryer sulmin e tmerrshëm në vitin 2016. Ai i kishte therur viktimat gjatë kohës kur ato ishin në gjumë.

Njëzet e katër banorë të tjerë dhe dy punëtorë të kësaj qendre ishin plagosur në atë që u cilësua si njëri prej rasteve më të rënda të sulmeve masive në Japoni pas Luftës së Dytë Botërore.

Burri 30-vjeçar e kishte pranuar kryerjen e veprës gjatë seancave në gjykatë, por është deklaruar i pafajshëm. Avokatët e tij pretendonin se klienti i tyre vuante nga një çrregullim psikik në kohën kur e kishte kryer sulmin masiv.

Sidoqoftë, gjykata nuk i mori parasysh këto pretendime pasi i akuzuari u dënua me vdekje përmes varjes në litar, shkruan “The Guardian”.

Uematsu muajin e kaluar deklaroi se nuk do të paraqiste ankesë kundër vendimit të gjykatës, pavarësisht llojit të dënimit.

Prokurorët thanë se ky person kishte hyrë me dhunë në qendrën e kujdesit për persona me nevoja të veçanta në orët e hershme të 26 korrikut të vitit 2016 dhe i kishte therur për vdekje 10 burra e 9 gra të moshës nga 19 deri 70-vjeçare.

(Kosova Sot Online)