Agim Veliu: Kurti po e tregon fytyrën tinëzare, nuk mund të bëjë shkarkime të tilla

  • 18 mars 2020 - 13:26
Agim Veliu: Kurti po e tregon fytyrën tinëzare, nuk mund të bëjë shkarkime të tilla

Tinëzar dhe mashtrues po e quan kryeministrin Albin Kurti, ish-ministri Agim Veliu pas shkarkimit që kreu i Qeverisë ia bëri Velit nga pozita e Ministrit të Brendshëm. Në një deklaratë ekskluzive për media, Agim Veliu, ka deklaruar se nuk e pranon vendimin e Kurtit për Shkarkim.

Thotë se Kurti është tinëzar dhe se nuk e ka guximin që të merret me tema të mëdha.

 “Zoti Kurti në këtë situatë kur duhet të marrë vendime të tjera, ai nuk ka guxim të marrë vendime të guximshme për vendin, ai merr vendime të tilla tinëzare, pa njoftime pa asgjë. Kështu po e tregon fytyrën e mashtruesit dhe tinëzarit”, ka deklaruar Veliu për media.

Tutje ai ka thënë se nuk është njoftuar nga Qeveria për shkarkimin e tij dhe se deri më tani atij nuk i ka shkuar asnjë vendim i tillë.

“Ende nuk jam i njoftuar me vendim e Qeverisë për shkarkimin tim. Unë nuk pajtohem me atë vendim. Nuk është kjo mënyra e zgjedhjes së problemeve. Këtu është një marrëveshje mes partnerëve të koalicionit. Nuk mund të bëhet asnjë shkarkim paraprak pa miratimin e koalicionit”, thotë Veliu.

I pyetur nëse me këtë veprim të kryeministrit Kurti po luhatet koalicioni qeveritar, Veliu u shpreh se LDK’ja do ta diskutojë këtë çështje në forumet e saja.

“LDK do t’a diskutojë këtë cëshje në forum dhe do ta marrë vendimin pastaj”, thotë Veliu.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka shkarkuar sot ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Kjo sipas Kurtit, pas deklaratave që ministri Veliu i kishte bërë mbrëmë, për të cilat nga Qeveria thonë se përhapin panik te qytetarët.

“Në këto momente, kur e gjithë administrata publike po bën përpjekje maksimale për të minimizuar dëmet nga virusi korona, udhëheqësit e institucioneve qendrore, përfshirë këtu anëtarët e kabinetit qeveritar duhet të demonstrojnë maturi si në vendime, ashtu edhe deklarime.

Përmes deklaratave të tij të bëra publikisht, por jo edhe të mbështetura me qëndrime të tij në mbledhje të brendshme, ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Veliu ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë, pjesë e të cilës ai është”, shkruhet në njofti.

Kunder vendimit te Kurtit ka dalur edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e ka cilësuar të papranueshëm vendimin e kryeministrit Albin Kurti për shkarkimin e ministrit nga radhët e LDK-së, Agim Veliu

Në një prononcim për media, Mustafa ka thënë se Kurti nuk është konsultuar me të për këtë vendim dhe se ky vendim është në kundërshtim me marrëveshjen e koalicionit.

“Z. Kurti nuk eshte konsultuar me mua, prandaj edhe nuk jam pajtuar për shkarkimin e ministrit Veliu. Ky është veprim i njëanshem, në kundërshtim me marrëveshjen e koalicionit, dhe i papranueshëm për LDK-në”, ka thënë Mustafa.

(Kosova Sot Online)