Ky është teksti i marrëveshjes LVV – LDK, Kurti nuk e ka respektuar atë

  • 18 March 2020 - 15:25
Ky është teksti i marrëveshjes LVV – LDK, Kurti nuk e ka respektuar atë

Sipas marrëveshjes së nënshkruar mes LVV’së e LDK’së për formim të koalicionit qeverisës, Kryeministri nuk mund t’i shkarkojë ministrat pa u konsultuar me kryetarin e partisë në koalicion. Rrjedhimisht, sipas kësaj marrëveshjeje, Kurti nuk mund të shkarkojë ministra pa folur me Isa Mustafën. 

Kryeministri Kurti e shkarkoi njëriun e dytë të LDK’së, Agim Veliun, nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme për shkak të deklaratës së tij të dhënë mbrëmë, e cila nuk përkonte me qendrimin e kryeministrit Kurti lidhur me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, tha se Kurti nuk e ka njoftuar për këtë vendim të njënashëm, që sipas tij është në kundërshtim me marrëveshjen e koalicionit qeverisës.

Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK’ja, kur janë marrë vesh për bashkë qeverisje, kanë rënë dakord edhe për mënyrën se si do të bëheshin shkarkimet e ministrave.

Në marrëveshjen e koalicionit qeverisës shkruan se Kryeministri i shkrarkon ministrat në konsultim me kryetarin e partisë me të cilën e ka bërë koalicionin.

“Emërimi dhe shkarkimi i anëtarëve të Qeverisë dhe i zyrtarëve/trupave që emërohen dhe shkarkohen nga Qeveria: Zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrat i propozohen Kryeministrit nga Kryetari i subjektit politik me të cilin është bërë marrëveshja e koalicionit. Të njëjtit mund të shkarkohen nga Kryeministri në konsultim me Kryetarin e subjetit politik me të cilin është bërë marrëveshja e koalicioni, bazuar në një arsyetim që e pranon Kryetari i subjett politik me të cilin është bërë marrëveshja e koalicionit. E njëjta gjë vlen për të gjithë të emëruarit e tjerë nga Qeveria”, thuhet në marrëveshjen e LVV’së me LDK’në.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit u tha se Veliu po shkarkohet pasi mbrëmë ka shpërndar panik lidhur me situaten e krijuar nga virusi covid-19 dhe se ka dalë kundër qëndrimit të Qeverisë, e cila nuk do që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme në vend.

Kryetari i LDK’së ka thënë se vendimi, sipas tij, i njëanshëm i Kurtit është i papranueshëm dhe i ka vënë ultimatum që ta anulojë deri në fund të javës.

“Si kryetar i LDK-së nuk jam konsultuar nga Kryeministri dhe aq më pak i pranoj arsyet e tij te bëra publike.

Kërkoj nga Kryeministri të anuloj vendimin për shkarkimin e z. Veliu dhe të merr vendim per heqjen e taksës deri në fund të javës.

Veprimet e njëanshme të Kryeministrit janë të dëmshme dhe të papranueshme dhe qojnë në prishje të koalicionit”, ka shkruar Mustafa.

Ndërkaq vetë Veliu, në një prononcim për media ka thënë se Kryeministri nuk e ka njoftuar paraprakisht për shkarkimin dhe e ka quajtur vendim “tinëzar”. 

(Kosova Sot Online)