Pse Britania po synon t’i izolojë për tre muaj 1.5 milionë banorë

  • 23 March 2020 - 09:42
Pse Britania po synon t’i izolojë për tre muaj 1.5 milionë banorë

Qeveria britanike njoftoi të dielën se do t’u dërgojë letra 1.5 milionë njerëzve në Angli për të kërkuar nga ta që të izolohen nga shoqëria për 12 javë për shkak se janë më të rrezikuar nga koronavirusi. Por cilët njerëz bëjnë pjesë në këtë grup?

Rreth 40 për qind e personave që do t’i marrin këto letra nga qeveria janë persona mbi moshën 75-vjeçare. Nga ta do të kërkohet që gjithmonë të qëndrojnë në shtëpi dhe t’i shmangen kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e tjerë. Qeveria do të kërkojë nga ta që të mos shkojnë në dyqane dhe të mos udhëtojnë, ndërsa ushqimi dhe ilaçet duhet të dërgohen të dyert e shtëpive të tyre për ta pakësuar kontaktin.

Sidoqoftë, në këtë grup futen edhe shumë njerëz të tjerë, të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme. Aty bëjnë pjesë njerëzit që kanë organe të transplantuara, pacientët me kancer që janë duke iu nënshtuar radioterapisë ose kimioterapisë kundër kancerit të mushkërive, njerëzit me leukemi dhe njerëzit me probleme serioze të organeve të frymëmarrjes, përfshirë astmën.

Letrën e qeverisë do ta pranojnë edhe personat që kanë probleme me metabolizmin dhe sistemin imunitar, që e rrisin rrezikun e infektimit me koronavirus dhe gratë shtatzëna me probleme të zemrës, shkruan “The Guardian”.

Nga këto grupe do të kërkohet që t’i shmangin kontaktet me personat që janë duke shfaqur simptoma të koronavirusit, të mos largohen nga shtëpia dhe të mos marrin pjesë në tubime.

(Kosova Sot Online)