Reka e Lekaj përplasen rreth korridorit të Serbisë nëpër Kosovë për Shqipëri

  • 25 March 2020 - 14:15
Reka e Lekaj përplasen rreth korridorit të Serbisë nëpër Kosovë për Shqipëri

Ministri i Integrimeve Evropiane, sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, Blerim Reka është munduar ta sqarojë deklaratën e tij të dhënë për një televizion ku ndër të tjera thotë se Kosova mund t’i jap qasje Serbisë për në detin Adriatik.

Reka tha se kjo sakrificë do të bëhej vetëm nëse Kosovës do t’i kërkohej për ta siguruar ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Në pyetjen se për ulësen në OKB a duhet të japim territor, përgjigja ishte e qartë dhe e prerë, nuk ka territor për ulëse në OKB, sepse integriteti territorial dhe sovraniteti shtetëror janë të garantuara me Kushtetutë dhe janë të panegociueshme”

“Në insistimin se cili do të ishte kompromisi, them: ndoshta mund t’i lejojmë si kompromis të fundit daljen në detin Adriatik, përmes atutostradës së Kosovës, Serbisë, por kur e themi t’i lejojmë, jemi ne ata që vendosim, dhe për cka i lejojmë, është ulësja në OKB”, tha Reka.

Ndërkohë ai shtoi se ish-ministri i Infrastrukturës në Qeverinë Haradinaj, Pal Lekaj, kishte përmendur koridorin qysh nga viti 2017.

“Ministri i qeverisë suaj Pal Lekaj, në vitet 2017, 2018, 2019, po citoj: Prezantohet projekti i autostradës Prishtinë-Merdarë-Nish, citoj: jam i lumtur se viti 2018 do të përmbyllet me lajme të mira sic është realizimi i kësaj autostradës, 20 dhjetor 2018. Më 25 dhjetor 2017, Lekaj flet për autostradën Prishtinë-Merdarë-Nish, ja cka përfiton Kosova, dhe vetëm në një fjali, ministri juaj përdor fjalën koridor, Kosova përmes këtij koridori do të ketë qasje të shpejtë me koridoret kryesore të rajonit, dhe lishje me koridoret e Evropës”, ka thënë Reka.

Mirëpo i shpejtë ishte edhe reagimi i Lekajt. Ai tha se asnjeherë nuk është menduar që Serbisë t’i jepet një corridor i tillë, dhe se projekti në fjalë ka qenë panevropian.

|Më vjen keq që në këtë moment që gjindet Kosova, ne mirremi me fjalë mashtruese, që asnjëherë në bindjen time ka qenë që ne të japim korridore, apo t’i lejojmë Serbisë që të ketë dalje në Adriatik. Është për t’u çuditur se si mund të manipulohet me projekte që janë panevropiane. Nëse nuk e ka lexuar ministri ka qenë diçka për procesin e Berlinit, dhe në këtë marrëveshje kanë hyrë të gjitha autostradat panevropiane, por asnjëherë nuk është menduar që të ketë korridor për Serbinë”, tha Lekaj.

Në fund të kësaj replike  foli shkurtimisht edhe njëherë ministri Reka, i cili tha se korridorin për Serbinë e ka gjetur nga qeveritë e kaluara, nuk e ka sjellur ai.

“Korridorin nuk ua solla unë, e gjeta tek ju”, tha në fund Reka.

(Kosova Sot Online)