Ja kush e thotë: Ky është tërmeti që goditi Qeverinë e re të Kosovës

  • 25 March 2020 - 16:00
Ja kush e thotë: Ky është tërmeti që goditi Qeverinë e re të Kosovës

“Z. Kurti para se të bëhej kryeministër u ka premtuar amerikanëve se do ta hiqte taksen ndaj mallrave serbe. Amerikanet nuk pranojnë thuaj e mos bej, nuk pranojnë të bësh llogaritë e tua kur do ti, ata duan të mbash fjalën. Hiqe taksen, kjo ishte kërkesë e opinionit që e duan Amerikën më shumë se sa qeverinë e Albinit. Hiqe taksen dhe nëse është keq, vendose përsëri nëse je sovran dhe i pavarur, ke shumë mundësi e rrugë të tjera të “ndëshkosh” Serbinë. Që kur rrokulliseshin makinat me mallrat serbe kam thënë, thirre e binde popullin të refuzoje mallrat serbe dhe kjo është ndëshkimi më i rëndë. Por nuk i detyron amerikanët të zgjedhin partner as nuk i kushtëzon dot Kosova, as nuk u thua dot hiqni Thaçin e merrmëni mua, as nuk u thua se ju si Amerikë nuk jetoni dot pa Kosovën”, thotë Rexhep Shahu për “Kosova Sot Online”.

 

 

Image
Rexhep Shahu

Analisti politik Rexhep Shahu, e ka përcjellë me kujdes gjithë ecurinë e përpjekjes për arritjen e koalicionit qeverisë mes LVV-së, dhe LDK-së, sfidat që e përcollën deri në konstituimin e kuvendit dhe votimin e kabinetit qeveritar, por edhe funksionimin prej vetëm një muaj e gjysmë të Qeverisë Kurti, dhe ka nxjerr një analizë të shkaqeve që sollën deri të detyrimi i LDK-së për të kërkuar mocion kundër partnerit qeverisës. Injorimi i kërkesave të miqve strategjik të Kosovës lidhur me heqjen e taksës, nënçmimi dhe injorimi i pozitës së presidentit të shtetit, dhe kultivimi i egos personale të Albin Kurtit si pozitë e vetme që duhet të pyetet e vendosë për gjithçka, sipas Rexhep Shahut, ishin gabime të cilat ja sollën shkurtimin e jetëgjatësisë së tij në pozitën e kryeministrit dhe koalicionit me LDK-në.

“Kryeministrit Kurti që mezi u bë kryeministër, që nuk ka deputet as sa një të katërtën e parlamentit, që ka mbajt veç fjalime gjithë këta muaj, iu duk se është kryeministër i një qeverie vetëm nga partia e tij, iu duk se ka mbi 70 deputet në parlament nga partia e tij VV. Kryeministri Kurti, orator i adhurueshëm, me përmbajtje, i ditur e me kulturë por pa farë përvoje shtetërore administrimi, erdhi në post dhe duket pati një betejë apo llogari personale, të injoroj e sfidoj e mohoje Hashim Thaçin, duke harruar se tani ishte kryeministër e jo vetëm kryetar i VV, duke harruar ndoshta me dashje se Hashim Thaçi është president, është institucioni i presidentit që përfaqësohet prej tij dhe në dy dekadat e fundit është njeri me shumë pushtet e përvojë, me ulje e ngritje të mëdha, me shpërdorime e akuza të mëdha që ende janë fjalë, që “shet” dekorata e pllakate për vota e përkrahje, që i ka mbërri të gjitha, përveç se nuk mund të bëhet kurrë si Ibrahim Rugova”, thotë analisti Shahu për “Kosova Sot Online”.

Sipas Rexhep Shahut, Kryeministri Kurti nuk duroi në krye pushtetin e presidentit, dhe u soll me presidentin si me armikun, donte të ishte mbi presidentin, të kishte edhe kompetencat e presidentit, jo veç ato të kryeministrit, pra, Albini nuk donte asnjë individ në Kosovë mbi veten, asnjë post nuk donte ta lejonte mbi atë të kryeministrit, ndonëse institucioni i presidentit është realitet, nuk mund ta zhbëjë askush pse nuk e donë personin që është president.

“Inatet personale apo mali me akuza që nuk janë të verifikuara për publikun, që nuk ta bëjnë aleat publikun, të bëhen bumerang siç po i bëhen Albinit. Mos e duaj Hashimin, por mos e shpërfill presidentin, këtë duhej ta ketë parasysh z. Kurti. Albini donte të ishte ai violinë e parë në çdo gjë, donte të ishte ai përfaqësuesi i vetëm i Kosovës në çdo takim me të huajt në Evropë e Amerikë, dhe me çdo kusht donte që ai të udhëhiqte bisedimet me Serbinë. Thaçi shihet si personi që pranon të japë territor Kosove për të fituar njohje nga Serbia, por unë besoj se nuk ka akt që merr fuqi nëse nuk kalon në parlamentin e Kosovës”, thotë Shahu për “Kosova Sot Online”. Sipas tij, edhe çështja e udhëheqësit apo e ekipit të bisedimeve me Serbinë nuk u mor asnjëherë seriozisht, u sulmua parlamenti, u sulmua Akademia e shkencave e të mos flasim për institucione të tjera, por mbi të gjitha luajti lojë të gabuar me amerikanët.

“Z. Kurti para se të bëhej kryeministër u ka premtuar amerikanëve se do ta hiqte taksen ndaj mallrave serbe. Amerikanet nuk pranojnë thuaj e mos bej, nuk pranojnë të bësh llogaritë e tua kur do ti, ata duan të mbash fjalën. Hiqe taksen, kjo ishte kërkesë e opinionit që e duan Amerikën më shumë se sa qeverinë e Albinit. Hiqe taksen dhe nëse është keq, vendose përsëri nëse je sovran dhe i pavarur, ke shumë mundësi e rrugë të tjera të “ndëshkosh” Serbinë. Që kur rrokulliseshin makinat me mallrat serbe kam thënë , thirre e binde popullin të refuzoje mallrat serbe dhe kjo është ndëshkimi më i rëndë. Por nuk i detyron amerikanët të zgjedhin partner as nuk i kushtëzon dot Kosova, as nuk u thua dot hiqni Thaçin e merrmëni mua, as nuk u thua se ju si Amerikë nuk jetoni dot pa Kosovën”, thotë Rexhep Shahu për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, edhe “martesa” e VV me LDK u bë e vështirë që në fillim dhe mezi u arrit sepse kishte politikë diktati. “Një marrëdhënie e brishtë mes dy forcave politike VV dhe LDK nuk pranon diktat apo ushtrim pushteti si në ushtri, nuk mund të ushtrohet pushteti vetëm me stil urdhëror dhe të thuhet fjala e fundit e para. LDK me gjithë dobësitë e saj vazhdon të jetë institucion besimi, të jetë parti institucionale, me figura të ditura, që marrëdhënien me SHBA e ka trase të vetme e të vendosur nga Rugova”, thotë analisti Rexhep Shahu. Po ashtu ai thekson se nëse presidenti Thaçi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, nëse është bazuar në kushtetutë, ai nuk merr leje apo miratim nga qeveria për këtë gjë, dhe nëse ka shkelë kushtetutën, nuk është qeveria që ia rrëzon apo prapëson apo refuzon dekretin, por është parlamenti që nuk e ratifikon ose Gjykata Kushtetuese që ia rrezon, por nuk e rrëzon presidentin një zëvendëskryeministër apo një kryeministër, siç ka pretenduar Kurti. Vetë rrëzimi i Kurtit, sipas Rexhep Shahut vjen si akt i pamundësisë për të qeverisur institucionalisht, por duke tentuar të qeverisë personalisht, e duke harruar edhe rolin e Amerikës në shtet ndërtimin e Kosovës. “Me qetësinë e ftohtësinë që po ndodhin këto gjëra të kalkuluara, me retorikën e kotë gërriceshe, me citimet në marrëveshjen mes VV dhe LDK për koalicion sikur të ishte bibla a kurani, duke harruar se LDK pranon të shkelë çdo marrëveshje për hir të mbrojtjes së marrëdhënieve Kosovë – Amerikë, z. Kurti duket se e pa të pamundur të tërheq karrocën qeveri në kushtet që u krijuan. Ai deshi të jetë me çdo kusht zë i vetëm që vendos vetëm në e për çdo gjë edhe me qeverinë edhe me bisedimet, edhe me Amerikën edhe me Evropën edhe me Coronavirusin edhe të diktoj brenda LDK. Barra u bë e rëndë, e madhe, e pamundur që ta tërheq Albini dhe duket u dorëzua’, thotë analisti Rexhep Shahu për “Kosova Sot Online”. Sipas Shahut, dy dekada i mësuar të jetë opozitë e fortë kundër të gjithëve, tani i veshur me kostum kryeministri, ai do të duhej të gëlltiste e të lëpinte çfarë ka pështyrë, prandaj edhe mbase e solli gjendjen vetë të tillë që të bjer qeveria dhe ai të bëhet gati për më vonë. “Z. Kurti mbase u lodh dhe u tërhoq me këtë stil që të mos jetë kryeministër në këtë kohë të vështirë kur duhet të ndodhin dy gjëra, të vendoset diçka në raport me Serbinë dhe që mund të jetë jo plotësisht në favor të Kosovës dhe të kaloj kjo pandemi e frikshme me Coronavirusin. Ndoshta kjo kohë do të prodhoje tradhtar e ndoshta heronj, por Kosova ka qenë e është, ka ekzistuar rreth një shekull koloni, tani e ndërtuar dy dekada në liri nuk mund të bëhet më koloni edhe pse ia përdhunuar lirinë shpesh herë në dy dekada falsifikatorët që shiten si komandantë e sjellës të lirisë. Kosova ka ekzistuar koloni një shekull, ka dy dekada falë Amerikës e gjakut shqiptar që është shtet i pavarur. Të gjitha janë çështje të kalueshme, të vogla në pasoja, vetëm një gjë duhet ruajt me çdo çmim, miqësia e përkrahja amerikane, kjo nuk pranon kushte”, thotë analisti politik Rexhep Shahu për “Kosova Sot Online”.

 

(Kosova Sot Online)