Detaje nga i vetizoluari në Klinë: Po e pret rezultatin për koronavirus

  • 26 mars 2020 - 10:36
Detaje nga i vetizoluari në Klinë: Po e pret rezultatin për koronavirus

Një pronar i një barnatorje në Klinë, bashkë me familjen e tij janë vendosur në karantinë dje nga autoritetet komunale. Ai dyshohet se ka pasur kontakt me një person, i cili kishte shkuar që të blejë barna, por që kishte simptoma të koronavirusit.

Detaje rreth këtij rasti për media ka dhënë Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj. 

Sipas tij, ai është testuar sot dhe se rezultatet pritet që të dalin gjatë ditës.

“Sipas informacioneve që kemi një qytetar ka shku dje në barnatoren e personit në fjalë, I cili ka edhe klinikë, dhe pronari i barnatores ka pa simptoma te qytetari dhe i ka lajmëru organet. Më pas kanë shku Inspektorati e kanë mbyll edhe klinikën dhe barnatoren, dhe e kanë fut pronarin dhe familjen e tij në karantinë. Ai sot është testu dhe pritet që gjatë ditës të i dalin rezultatet”, ka thënë Elezaj.

I pari i Komunës së Klinës thotë se kanë nevojë për pajisje mbrojtëse, por se janë duke shikuar mundësinë që të furnizohen me mjete vetanake, derisa probleme për ushqim e medikamente thotë se nuk kanë.

“Kemi nevojë për pajisje mbrojtese, por edhe jemi duke e shiku mundësinë që të furnizohemi me mjete vetanake. Po e menaxhojmë situatën mirë. S’kemi probleme me furnizim me ushqim e as medikamente”, ka thënë Elezaj për media

Për këtë rast ka njoftuar edhe Policia e Kosovës, përmes raportit 24 orësh. Por, sipas policisë, ai po punonte në klinikën e tij në mënyrë ilegale.

Policia raporton se, pos që është mbyllur klinika, mjeku është vetizoluar me familje dhe punëtorë, pasi ka dyshime se ka pasur kontakt me persona të infektuar.

“Rr. Sadik Rama, Klinë 25.03.2020-16:58.  Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar (mjek), është hasur duke punuar në klinikën e tij private duke rënë në kundërshtim me vendimet e marra. I njëjti është vetë izoluar me punëtorët dhe familjen e tij pasi që dyshohet se ka pasur kontakt me disa klient që dyshohet të jenë të infektuar”, thuhet në raportin e policisë së Kosovës për 24 orët e fundit.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka konfirmuar mbrëmë edhe tetë raste të reja me koronavirus, duke bërë që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 71.

“Sot me 25.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar tridhjetë e katër (34) mostra të marra të rasteve të hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe nga terreni. Nga këto mostra të marra për testim në virusin SARS-CoV, tetë (8) prej prej tyre kanë rezultuar pozitive”, shkruhet në njoftim.

Sipas IKSHP’së, rastet e konfirmuara pozitive janë raste kontakti prej të cilëve 4 raste janë me vendbanim në fshatin Domanek- Malishevë, 3 raste me vendbanim në Prishtinë dhe 1 rast me vendbanim në fshatin Studime e ulët-Vushtrri.

(Kosova Sot Online)