Ja kush thotë: Të testohen deputetët dhe stafi administrativ i Kuvendit

  • 29 March 2020 - 12:10
Ja kush thotë: Të testohen deputetët dhe stafi administrativ i Kuvendit

Prof. Lul Raka: Të testohen deputetët dhe stafi administrativ i Kuvendit

Prof. Asoc. Lul Raka ka deklaruar se duhet të testohen për Covid-19 të gjithë deputetët që morën pjesë në seancën e Kuvendit e cila zgjati 12 orë dhe rezultoi me rrëzimin e Qeverisë Kurti. Sipas Rakës, deputetët janë të dyshimtë për shkak se nuk dihet si janë sjellë gjatë pauzës.

“Në fund, mbase edhe deputetët e Kosovës dhe stafi administrativ, për shkak të qëndrimit prej afër 12 orësh në objekt të mbyllur. Maskat dhe dorëzat i kanë pasur, por nuk e dijmë si janë sjellur gjatë pauzave të bukës dhe kafes”, sqaron Raka.

Mikrobiologu ka thënë se pas ardhjes së 7 mijë testeve duhet të testohen 200-300 persona në ditë, në mënyrë që të kuptohet gjendja reale pasi rezultatet aktuale janë vetëm ‘maja e ajsbergut’.

Lexoni sqarimin e plotë të Prof. Lul Rakës:

DIÇKA PËR TESTET LABORATORIKE

Ardhja e 7000 testeve për COVID-19 në Kosovë është lajm fantastik. Tani duhet të testojmë 200-300 njerëz në ditë!

Testimi laboratorik i saktë dhe në kohën e duhur është komponentë thelbësore e menaxhimit të COVID-19 dhe mungesa e testeve dhe reagjentëve e pengon përgjigjen ndaj epidemisë.

Fatkeqësisht, bota ka pak shtete si Koreja e Jugut e Japonia. Për shkak të mungesës së testeve, shumë vende tani po testojnë vetëm rastet me infeksione të rënda respiratore akute gjatë pranimit në spital. Prandaj, kjo e ul numrin e rasteve të konfirmuara, por kjo nuk do të thotë se incidenca është në rënie. Përkundrazi, kjo tregon vetëm majën e ajsbergut.

KUSH DUHET TË TESTOHET PËR COVID-19 (PRIORITETET SIPAS RRADHËS):

– Pacientët e shtruar në spital që kanë infeksion të rëndë respirator akut

– Pacientët me infeksion akut respirator në shtëpitë e pleqve dhe në komunitet

– Stafi shëndetësor që ka çfarëdo simptoma, por edhe ata që nuk kanë fare simptoma dhe punojnë në institucionet ku pasur raste të punëtorëve shëndetsorë me COVID-19

– Të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike (sëmundja e mushkërive, kanceri, sëmundja e zemrës, sëmundja cerebrovaskulare, sëmundja e veshkave, mëlçisë, hipertensioni, diabeti dhe personat me imunitet të komprometuar) që shfaqin shenja të sëmundjes akute të frymëmarrjes. Këta njerëz mund të kenë nevojë më herët për mbështetje të frymëmarrjes (respirator).

– Kontaktet e afërta të rasteve me COVID-19 të vërtetuar, të cilët kanë simptoma. Nëse ka mundësi duhet të testohen edhe kontaktet asimptomatike të një rasti me COVID-19, të cilët kanë pasur ekspozim me rrezik të lartë.

– Në fund, mbase edhe deputetët e Kosovës dhe stafi administrativ, për shkak të qëndrimit prej afër 12 orësh në objekt të mbyllur. Maskat dhe dorëzat i kanë pasur, por nuk e dijmë si janë sjellur gjatë pauzave të bukës dhe kafes.

Nëse rrini në shtëpi- Fitorja është e sigurtë!

Nëse nuk respektoni këshillat- do të qëndroni shumë më gjatë të mbyllur!

RRI N’SHPI!

(Kosova Sot Online)