Katër të vdekur – dy nga koronavirusi – në anijen që nuk po e do asnjë shtet

  • 01 April 2020 - 09:59
Katër të vdekur – dy nga koronavirusi – në anijen që nuk po e do asnjë shtet

Një shtetas britanik është në mesin e katër personave të vdekur në anijen “Zaandam”, e cila nuk po arrin të sigurojë leje për ankorim në shtetet e Amerikës së Mesme.

Në atë që po përshkruhet si krizë humanitare në rritje, deri më tani është konfirmuar se dy nga katër personat e vdekur kanë qenë të infektuar me koronavirus. Nëntë pasagjerë kanë dalë pozitivë në teste dhe rreth 190 kanë raportuar simptoma si të gripit, shkruan “The Guardian”.

“Njëri nga pasagjerët e ndjerë është nga Britania e Madhe. Për shkak të ligjeve amerikane, ne nuk mund të ofrojmë hollësi të tjera mjekësore”, tha një zëdhënës i kompanisë që operon me anijen e ngujuar.

Anija “Zaandam”, në të cilën ndodhen mbi 200 shtetas britanikë, e kaloi Kanalin e Panamasë të hënën pasi i ishte mohuar ankorimi në disa porte detare. Drejtuesit e saj po kërkojnë që anija të ankorohet në Florida të Shteteve të Bashkuara gjatë kësaj jave.

Megjithatë, guvernatori i Floridas, Ron DeSantis, deri më tani ka ngurruar ta lejojë ankorimin e anjes me mbi një mijë pasagjerë në brigjet e shtetit amerikan që ai e udhëheq.

(Kosova Sot Online)