Me urdhër të Serbisë: Mitrovica e Veriut dhe Zveçani në karantinë

  • 03 April 2020 - 22:52
Me urdhër të Serbisë: Mitrovica e Veriut dhe Zveçani në karantinë

Me vendim të Serbisë, dy komunat e Kosovës, Mitrovica Veriore dhe Zveçani janë futur në karantinë si dhe rreth 200 qytetarë në 5 komuna të vendit janë detyruar të izolohen me urdhër nga Beogradi.

Ky vendim është marrë gjatë ditës së djeshme, me ç’rast është lëshuar urdhri që Mitrovica Veriore dhe Leposaviçi të futen në karantinë dhe të izolohen 210 qytetarë nga disa komuna të Kosovës.

Në këto lista janë emrat e 210 qytetarëve nga Komuna e Mitrovicës Veriore, Zveçanit, Leopsaviqit, Graçanicës dhe Parteshit, të cilët do të duhet ta zbatojnë këtë vendim.

Në katër komunat veriore të Kosovës deri më tani janë raportuar 12 raste me koronavirus si dhe është shënuar një viktimë.

Në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë të gjitha mostrat e personave që konsiderohen potencialisht të infektuar, dërgohen në Institutin për virusologji, vaksinë dhe serum “Torlak“ në Beograd. Ndërkohë, para disa ditëve, Shtabi i Krizës në veri të Mitrovicës, ka deklaruar se të gjithë të prekurit me koronavirus do të dërgohen për trajtim të mëtutjeshëm në Spitalin e Nishit në Serbi.

(Kosova Sot Online)