Greqia e vë në karantinë edhe kampin e dytë të imigrantëve

  • 05 April 2020 - 09:50
Greqia e vë në karantinë edhe kampin e dytë të imigrantëve

Ministria e Migracionit në Greqi njoftoi të dielën se e ka vendosur në karantinë kampin e dytë të imigrantëve pasi një burrë 53-vjeçar doli pozitiv në test.

Burri afgan jeton me familjen e tij në kampin “Malakasa” bashkë me qindra azilkërkues të tjerë. Ai tashmë është transferuar në një spital të Athinës, shkruan “Reuters”.

Agjencia e Shëndetit Publik do të vazhdojë t’i testojë personat që dihet se kanë pasur kontakt me burrin e infektuar në përpjekje për ta parandaluar përhapjen më të madhe të virusit.

Të enjten, autoritetet greke e vendosën në karantinë kampin “Ritsona” në pjesën qendrore të vendit pasi 20 persona dolën pozitivë në teste. Ky ishte kampi i parë në Greqi që preket nga koronavirusi që nga fillimi i përhapjes.

Greqia ishte korridori kryesor për më shumë se një milionë refugjatë që hynë në Bashkimin Evropian më 2015 dhe 2016. Më shumë se 110 mijë njerëz jetojnë tash për tash në kampet e refugjatëve në mbarë vendin. 40 mijë prej tyre jetojnë në kampe të mbingarkuara në pesë ishuj.

(Kosova Sot Online)