Haziri kujton martirët e Llovcës: Ata u sakrifikuan për lirinë, pavarësinë dhe të drejtat e shqiptarëve

  • 05 April 2020 - 13:28
Haziri kujton martirët e Llovcës: Ata u sakrifikuan për lirinë, pavarësinë dhe të drejtat e shqiptarëve

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka kujtuar shtatë martirët e Llovcës në 21 vjetorin e masakrës.

Haziri, me këtë rast, ka kërkuar nga organet e drejtësisë që ta zbardhin sa më parë këtë masakër dhe autorët të marrin dënimin meritor.

“Shtatë martirët e Llovcës, ata të Llashticës, Zhegrës dhe mijëra të tjerë, u sakrifikuan për lirinë, pavarësinë dhe të drejtat e shqiptarëve. Llovca ka qenë vendi i kryengritësve dhe vatra e luftëtarëve për mbrojtjen e kombit, ka qenë rreshti i parë në luftën për pavarësinë e shqiptarëve. Lufta vazhdon sepse atdheu i tyre është deri në Ristovc, ku kufiri mes shqiptarëve dhe serbëve duhet të vendoset në lindje të Kosovës”, ka thënë Haziri.

21 vite më parë, në fshatin Llovcë u masakruan në mënyrën më barbare shtatë persona: Rahim Ymeri (arsimtar), Xhemail Halimi, Xhevrije Zeqiri, Nexhmije Azemi, Rabit Dalipi, Sami Xhelili dhe Avdi Rexhepi.

(Kosova Sot Online)