Ushtria ruse injoron rrezikun nga virusi, do të mbajë paradë me 15 mijë ushtarë

  • 06 April 2020 - 12:15
Ushtria ruse injoron rrezikun nga virusi, do të mbajë paradë me 15 mijë ushtarë

Ushtria ruse i ka filluar përgatitjet dhe ushtrimet për paradën ushtarake të planifikuar për 9 maj, pavarësisht rrezikut nga përhapja e koronavirusit te ushtarët. Kremlini i ka refuzuar thirrjet për anulimin e paradës që ka ndikim të konsiderueshëm politik.

Presidenti rus, Vladimir Putin, pritët të marrë pjesë në këtë paradë bashkë me homologun francez, Emmanuel Macron, dhe disa udhëheqës të tjerë botërorë për ta shënuar 75-vjetorin e fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, me 12 milionë banorë të Moskës që janë izoluar dhe me rritjen e numrit të rasteve të koronavirusit, përgatitjet për paradën ushtarake kanë ngritur shqetësime në Rusi.

Në një video të publikuar në Twitter shihen rreth 15 mijë ushtarë të rreshtuar, të cilët po përgatiten për të marrë pjesë në paradën e majit, shkruan “The Guardian”.

Në terren gjatë ushtrimeve janë parë edhe tanket e tipit T-34. “9 Maji është datë e shenjtë për miliona banorë në Rusi. Parada e Ditës së Fitores është caktuar dhe do të mbahet në Sheshin e Kuq”, shkroi në Twitter një zyrtar i Ministrisë së Jashtme.

(Kosova Sot Online)