Numri i viktimave të virusit në Angli mund të jetë 80% më i lartë se shifra zyrtare

  • 07 prill 2020 - 12:36
Numri i viktimave të virusit në Angli mund të jetë 80% më i lartë se shifra zyrtare

Shifra e vërtetë e viktimave të koronavirusit në Angli mund të jetë 80 për qind më e madhe se ajo që paraqitet në të dhënat zyrtare për shkak të vonesave që po shkaktohen gjatë regjistrimit të rasteve.

Deri më 27 mars, Departamenti i Shëndetit dhe Kujdesit Social i kishte deklaruar vetëm 926 vdekje nga koronavirusi në të gjitha spitalet e vendit.

Kjo shifër ishte për 78 për qind më e ulët se 1649 vdekjet e regjistruara nga sistemi shëndetësor gjatë periudhës së njëjtë kohore, shkruan “Daily Mail”.

Nëse shkalla e dallimit e ka ndjekur trajektoren e njëjtë prej asaj date, numri i vdekjeve nga koronavirusi në Angli mund të jetë rreth 8800 e jo 4897, siç është paraqitur zyrtarisht.

Kjo ka mundur të ndodhë për shkak se mund të kalojnë disa ditë dhe madje javë në disa raste që një vdekje nga koronavirusi të futet në të dhënat zyrtare që i raporton qeveria.

Zyra Kombëtare e Statistikave tashmë e ka nisur zbatimin e një strategjie të re për regjistrimin e shifrave të viktimave të koronavirusit. Të gjithë personat, të cilëve në certifikatën e vdekjes u përmendet koronavirusi si faktor, do të përfshihen në statistikat javore të viktimave.

(Kosova Sot Online)