Denur Paçaku: Romët sot festojnë për kulturën, por jo edhe për kushtet socio-ekonomike që jetojnë

  • 08 April 2020 - 14:28
Denur Paçaku: Romët sot festojnë për kulturën, por jo edhe për kushtet socio-ekonomike që jetojnë

Denur Paçaku, djali i ish-deputetit të ndjerë, Kujtim Paçaku, ka shkruar me rastin e 8 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Romëve.

Ai ka thënë se në këtë datë promovohet lartë historia dhe baza kulturore rome që ka mbijetuar ndër vite.

“Në tetë prill, Ditën Ndërkombëtare të Romëve, promovohet e lartëçmohet baza kulturore e historia rome. Që, për fat mbeti gjallë”, ka shkruar Paçaku.

Megjithatë Paçaku thotë se kjo ditë nuk mund të jetë festë sa i përket aspektit social e ekonomik të komunitetit rom.

Ai thotë se sa i përket kushteve të jetesës së këtij komuniteti, 8 prilli është një festë e gëzimit për ngushëllim.

“Ndërsa, për jetën ekonomike e sociale, kjo nuk është festë e gëzimit për hare. Por festë e gëzimit për ngushëllim”, ka potencuar Denur Paçaku.

Ndërkohë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, ka shkruar edhe kryeministri, Albin Kurti, i cili ka uruar komunitetin rom që jetojnë në Kosovë, duke thënë se do të punojë për krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim.

(Kosova Sot Online)