Amerikani që qëndroi 17 ditë në respirator shërohet nga koronavirusi me Remdesivir

  • 08 prill 2020 - 15:01
Amerikani që qëndroi 17 ditë në respirator shërohet nga koronavirusi me Remdesivir

Një burrë i infektuar me koronavirus në Philadelphia të Shteteve të Bashkuara është shëruar dhe është liruar nga spitali pasi kishte qëndruar për 17 ditë në respirator.

Mike DeWan, 43 vjeç, nuk pritej se do të mbijetonte nga koronavirusi për shkak të gjendjes së rëndë, por shëndeti i tij u përmirësua papritmas pasi u trajtua me ilaçin Remdesivir, i cili më parë është përdorur kundër Ebolës.

DeWan ishte infektuar me koronavirus në mesin e marsit pasi kishte marrë pjesë në një darkë për ditëlindje me gruan e tij, Kelly-n, dhe katër vajzat e tyre.

Të gjithë dhjetë pjesëmarrësit në atë ndejë ishin infektuar, por burri ishte prekur më së rëndi.

Pas problemeve me frymëmarrje, ai ishte shtruar në spital dhe mjekët ishin të habitur me dëmtimin e madh të mushkërive, shkruan “Daily Mail”.

DeWan tha për televizionin CBS: “Mjeku i mushkërive erdhi në dhomë dhe tha se fotografimi me rreze X duket se situata është e keqe. Unë i thashë se nuk pi duhan dhe jam vetëm 43-vjeçar, por ai më tha se gjendja do të përkeqësohet para se të përmirësohet.”

Burri ishte futur në respirator dhe familja e tij ishte frikësuar nga më e keqja. Vetëm 20 për qind e pacientëve që futen në respirator mbijetojnë.

Njëri nga mjekët që po e trajtonin këtë burrë kërkoi që pacienti të përdorte Remdesivir. Dhjetë ditë pas përdorimit të vazhdueshëm të këtij ilaçi, shëndeti i pacientit u përmirësua në masë të madhe.

Substanca Remdesivir ishte krijuar fillimisht për trajtimin e Ebolës, por tash është duke u testuar klinikisht edhe për efektet që ka te pacientët me koronavirus.

(Kosova Sot Online)