Komuna e Prizrenit paraqet kallëzim penal ndaj zyrtarëve të PDK’së, që vizituan Korishën e karantinuar

  • 08 prill 2020 - 22:57
Komuna e Prizrenit paraqet kallëzim penal ndaj zyrtarëve të PDK’së, që vizituan Korishën e karantinuar

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka njoftuar se të mërkurën është dorëzuar kallëzimi penal në Prokurori kundër zyrtarëve të PDK-së, të cilët të martën kanë realizuar një vizitë në fshatin Korishë.

Sipas Haskukës, hyrja e opozitarëve ka qenë e paautorizuar në zonën karantinë.

“Kallëzimi është dorëzuar në mënyrë elektronike nga drejtori i Shëndetësisë dhe njëkohësisht koordinatori i Shtabit Emergjent Lokal, Visar Shehu. Veprimet e tyre mund të dëshmohen lehtë edhe nga fotografitë e publikuara në rrjete sociale nga vet këta persona, të cilët e kanë shpërfillur vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe me këtë rast kanë kryer vepër penale ndaj mosveprimit sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë, siç parashihet në nenin 250 të Kodit Penal të Kosovës. Në rast të përhapjes së virusit nga ky rast, atëherë këta do të ishin shkelës edhe të nenit 249 të Kodit Penal të Kosovës, për përhapjen e sëmundjes ngjitëse”, ka shkruar Haskuka në rrjetet sociale.

Në anën tjetër, koordinatori i Degës së PDK-së në Prizren, Jeton Bytyçi, e ka quajtur të papërgjegjshëm kryetarin Haskuka, duke theksuar se ai kishte njoftuar shtabin lokal në fshatin Korishë, se do ta realizojë një vizitë, por se “për çudi, takoi vetëm drejtorin që vjen nga radhët e VV-së”.

“Dje na kërcënove neve që ishim në vizitë në Korishë, e sot vet shkove, d.m.th., vizita jonë të zgjoi nga gjumi i thellë që ke hy. Por edhe në këtë rast, bëre selektim të madh gjatë kësaj vizite, duke injoruar shtabin lokal…”, ka thënë Bytyçi.

Më herët gjatë ditës, Dega e PDK-së në këtë qytet ka akuzuar Haskukën se i ka bërë refren gjuhën e kërcënimit, shantazhit, akuzave, vajtimit, viktimizimit, injorimit, nepotizmit dhe militantizmit, përdorimit të standardit të dyfishtë, të gënjeshtrës dhe të korrupsionit në tenderë.

“Kjo formë e komunikimit në opinion, nuk të bën një kryetar të suksesshëm, por një dështak tipik, tashmë të dëshmuar”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Të martën, kryetari i Degës së PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj, njoftoi se një delegacion i kësaj partie ka vizituar shtabin lokal në fshatin Korishë, duke respektuar rekomandimet e institucioneve, për mbajtjen e distancës dhe masat tjera mbrojtëse.

“Gjithashtu ne u solidarizuam me ta, për shqetësimet dhe gjendjen e krijuar, pas izolimit të fshatit, ndërsa shtabit lokal i ofruam gatishmërinë tonë si degë, brenda mundësive dhe kapaciteteve tona, për t’i dalë në ndihmë familjeve, në rast të paraqitjes së ndonjë nevoje eventuale”, pat bërë të ditur Totaj.

(Kosova Sot Online)