Më shumë se 300 persona të lënduar gjatë një kryengritjeje në një burg të Rusisë

  • 11 April 2020 - 11:34
Më shumë se 300 persona të lënduar gjatë një kryengritjeje në një burg të Rusisë

Më shumë se 300 persona raportohet të jenë lënduar gjatë një kryengritjeje në një burg në rajonin Irkutsk të Rusisë. Besohet që dhuna shpërtheu pasi një rojë e kishte rrahur një të burgosur.

Aktivistët e një grupi të organizatave joqeveritare kanë thënë se forca speciale ruse janë dërguar në burgun numër 15 në Angarsk në përpjekje për ta qetësuar situatën.

Një zëdhënës i Shërbimit Federal të Burgjeve tha se trazira ka filluar në momentin që një i burgosur e ka sulmuar një rojë, duke shtuar se situata tashmë është nën kontroll.

Në disa pamje të publikuara në rrjetet sociale shihen ndërtesat e kapluara nga zjarri dhe të burgosurit dëgjohen duke thënë se po vriten.

Autoritetet ruse nuk i kanë lejuar aktivistët për të drejtat e njeriut që të futen brenda burgut, shkruan “Free Europe”.

Në këtë burg ndodhen rreth 1,300 të burgosur, ndërsa Komisioni Hetues i ka nisur hetimet për këtë rast.

(Kosova Sot Online)