Profesori i së drejtës sfidon Qeverinë: Mbroni qytetarët por mos i shkelni të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë

  • 25 April 2020 - 09:00
Profesori i së drejtës sfidon Qeverinë: Mbroni qytetarët por  mos i shkelni të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë

”Nëse me kufizimet e tashme është futur në kufizime të të drejtave dhe lirive, si barazia para ligjit, mbrojtja e jetës, integritetit fizik dhe psikik, skllavërimi në punë, suspendimet nga të drejtat njerëzore, të gjuhës, të barazisë para organeve, martesën dhe besimin, të lëvizjes së lirë të njerëzve etj, dalin çështje të Gjendjes se Jashtëzakonshme. Ato nuk janë çështje që mundë të kufizohen nga Qeveria. Çështjet e tilla nuk shmangen as me shpalljen e Gjendjes së jashtëzakonshme. Kurrsesi këto nuk ndalohen në asnjë mënyrë. Përjashtim bëjnë shmangiet nga e drejta e lëvizjes, e drejta e privatësisë, e tubimit, e aktivitetit publike në tubime, e arsimit, në ushtrimin e profesionit etj. Këto mundë të kufizohen dhe shmangen vetëm me gjendje të jashtëzakonshme”, thotë profesori i së drejtës Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online “.

Profesori i së drejtës Muhamet Kelmendi,, duke parë ashpërsinë e masave të shpallura nga Qeveria në detyrë, nëpërmes Ministrisë së Shëndetësisë, si preventivë mbrojtëse nga pandemia e koronavirusit, thotë se duhet marr me vlerësim serioz të gjitha vërejtjet që po vijnë nga organizata të ndryshme por edhe nga partitë politike që të mos cenohen lirit dhe të drejtat elementare të njeriut, të garantuara me kushtetutë dhe konventat ndërkombëtare. Kelmendi konsideron se duhet të rishikohen pa vonesë këto masa të shpallura në fillim të javës sepse kemi edhe vërejte serioze nga zyrtar të parlamentit evropian, por edhe nga ekspert vendor, sikur që ishte vlerësimi i ish kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Enver Hasanit. Eurodeputetja gjermane dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon Taubadel ka thënë se është duke i përcjellë në mënyrë aktive zhvillimet në Kosovë. Përmes një reagimi në llogarinë e saj zyrtare në Tvitter, von Cramon i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që për masat kufizuese që vendos për pandeminë COVID-19 duhet t’i kthehet bazës së Kushtetutës, pasi siç thotë ajo s’mund t’ua kufizosh njerëzve orën kur mund të dalin lëvizin jashtë. “Rregullat e kufizimit të lëvizjes duhet të jenë në pajtueshmëri me rregullat e Kushtetutës së Kosovës. Rregullat që krijojnë më shumë konfuzion dhe që s’janë në pajtim me Kushtetutën mund të shkaktojnë më shumë dëm. Shtetet tjera kanë caktuar kohën që mund të shpenzosh jashtë, por jo edhe orën se kur mund të dalësh jashtë. Qeveria duhet të kthehet prapa tek bazat kushtetuese”, ka shkruar eurodeputetja gjermane. Po aq serioze e ka cilësuar shkeljen e të drejtave të njeriut edhe ish kreu i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani. “Kjo do të thotë është tërësisht anti kushtetuese dhe kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese sepse Gjykata Kushtetuese e ka bërë jashtëzakonisht të qartë që Ministria e Shëndetësisë mund të bëjë kufizime të lirive dhe të drejtave të njeriut për aq sa ka autorizime ligjore të Ligjit për Shëndetësinë dhe Ligjin për parandalimin e Sëmundjeve Infektive. Do të thotë këta mund ti fusin në karantinë persona dhe hapësira të cilat janë të infektuara, një nga një, komuna, hapësira, lagje të caktuara, e tjera”, ka thënë Enver Hasani. Prandaj, bazuar në këto konstatime por edhe në përvojën e tij profesionale, Muhamet Kelemdni thotë se duhet të rishikohen më shpejtë këto masa për të mos e bllokuar krejtësisht lirinë e lëvizjes dhe veprimtaritë tjera me interes publik e të qytetarëve.

Image
Muhamet Kelmendi

“Në çështjen e kufizimit te lirive dhe te drejtave themelore në Kosovë janë dy mbështetje juridike. Së pari është Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe së dyti Ligji për Parandalimin e Sëmundjeve Infektive. Natyrisht se qytetarët e kanë vështirë të konstatojnë dhe të vërejnë se deri ku shkon ligji dhe ku tejkalohen masat në drejtimin e tillë të të drejtave dhe të lirive. Normat kushtetuese parashikojnë kufizime të mëdha në mbrojtje të qytetarëve. Por nuk përmenden se cilat janë ato kufizime dhe ku kalohet në shmangie të të drejtave dhe të lirive themelore. Duhet të dihet se nga askush nuk mund të kufizohen dhe as të shmangen të drejtat dhe liritë e përcaktuara në nenin 23 24,25,27,28,29,31 33,34,37 dhe 38 të Kushtetutës”, thotë profesori i së drejtë Muhamet Kelmendit për “Kosova Sot Online”. Këto të drejta sipas Kelmendit, as në gjendje të jashtëzakonshme nuk mundë të ndalohen, në asnjë mënyrë, prandaj shkelje e tyre, kufizimi, duhet rishikuar dhe anuluar se[se si të tilla mundë ti shpallë vetëm Kuvendi i Kosovës dhe jo Qeveria. ”Nëse me kufizimet e tashme është futur në kufizime të të drejtave dhe lirive, si barazia para ligjit, mbrojtja e jetës, integritetit fizik dhe psikik, skllavërimi në punë, suspendimet nga të drejtat njerëzore, të gjuhës, të barazisë para organeve, martesën dhe besimin, të lëvizjes së lirë të njerëzve etj, dalin çështje të Gjendjes se Jashtëzakonshme. Ato nuk janë çështje që mundë të kufizohen nga Qeveria. Çështjet e tilla nuk shmangen as me shpalljen e Gjendjes së jashtëzakonshme. Kurrsesi këto nuk ndalohen në asnjë mënyrë. Përjashtim bëjnë shmangiet nga e drejta e lëvizjes, e drejta e privatësisë, e tubimit, e aktivitetit publike në tubime, e arsimit, në ushtrimin e profesionit etj. Këto mundë të kufizohen dhe shmangen vetëm me gjendje të jashtëzakonshme”, thotë profesori i së drejtës Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online “.

Prandaj sipas Muhamet Kelmendit, kufizimet në këtë kohë pandemie, duhet ë bazohen vetëm ato që janë paraparë në Ligjin për mbrojtje nga sëmundjet infektive. “Ligji parasheh masa mbrojtëse kundër sëmundjeve infektive, por jo në masën e ndalimit të përgjithshëm të tyre, deri edhe te drejta e lëvizjes, tubimit etj. Në këtë kontekst ato mund dhe duhet të ndalohen përkohësisht vetëm në bazë të nenit 55 dhe131 të Kushtetutës. E atë e shpall Presidenti me dekret dhe e vendos Kuvendi brenda 48 orësh me votim në Kuvend. Këtej del se kemi nga masat e ndërmarra veprime që tejkalojnë kufizimet dhe futen në shmangie nga të drejtat të cilat vetëm me Gjendje të jashtëzakonshme mundë të shmangen përkohësisht, pra, deri në tejkalimin e gjendjes dhe duke e analizuar kohë pas kohe Kuvendi, dhe natyrisht duke vendosur me votim. Pa votën po të Kuvendit kurrë nuk mundë të shmangen liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe të qytetarit sepse Kuvendi është organi më i lartë që vendos”, thotë profesor Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)