OBSh-ja e kundërshton idenë e pasaportave të imunitetit për Covid-19

  • 25 April 2020 - 11:24
OBSh-ja e kundërshton idenë e pasaportave të imunitetit për Covid-19

OBSh-ja e kundërshton idenë e pasaportave të imunitetit për Covid-19

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar kundër të ashtuquajturave “pasaporta të imunitetit” ose certifikata për lirim nga rreziku, të cilat do t’i përjashtonin të shëruarit me Covid-19 nga masat e izolimit.

Disa qeveri të shteteve kanë sugjeruar që të lëshohen certifikime të këtilla për personat që kanë antitrupa kundër virusit Sars-CoV-2, i cili e shkakton sëmundjen Covid-19, në mënyrë që ata të kenë mundësi të udhëtojnë ose të kthehen në punë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, përmes një deklarate të publikuar të shtunën, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se deri më tani nuk ka dëshmi se personat e shëruar nga Covid-19 janë imundë ndaj infektimit të dytë, edhe nëse kanë antitrupa në organizëm.

“Në këtë pikë të pandemisë, nuk ka dëshmi të mjaftueshme për efektshmërinë e imunitetit me antitrupa për ta garantuar saktësinë e pasaportës së imunitetit apo certifikatës për lirim nga rreziku. Njerëzit që pretendojnë se janë imunë ndaj infeksionit të dytë për shkak se kanë dalë pozitivë në testim mund t’i injorojnë këshillat për shëndetin publik. Prandaj, përdorimi i këtyre certifikatave mund ta rrisë rrezikun e përhapjes së vazhduar”, thuhet në deklaratë.

(Kosova Sot Online)