Italia pranon katër aeroplanë me pajisje mjekësore nga Serbia

  • 25 prill 2020 - 14:56
Italia pranon katër aeroplanë me pajisje mjekësore nga Serbia

Serbia i ka nisur drejt Italisë katër aeroplanë me pajisje të ndryshme mjekësore, përfshirë doreza, maska dhe veshje mbrojtëse për mjekët si donacion për ta ndihmuar këtë vend në luftën kundër koronavirusit.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, tha se katër aeroplanë të tjerë me pajisje mjekësore do të nisen drejt Italisë gjatë dy ditëve të ardhshme, shkruan “Reuters”.

“Ne do të fitojmë së bashku, ji trime, Itali, Serbia është me ty”, shkroi presidenti serb në njërën nga kutitë e mbushura me pajisje para se ajo të ngarkohej në aeroplan.

Vitin e kaluar, Italia ishte partnerja e dytë më e madhe tregtare e Serbisë pas Gjermanisë, sipas statistikave zyrtare. Kompani të ndryshme italiane, përfshirë prodhuesin e veturave “Fiat”, i kanë punësuar mbi 20,000 persona në Serbi.

“Në rrugën e vet drejt Evropës, Serbia gjithmonë ka pasur ndihmë nga Italia”, tha Vuçiq, duke vënë në pah se gjatë vërshimeve shkatërruese të vitit 2014, Italia ka qenë ndër shtetet e para që i ka dërguar ndihma Serbisë.

Vendi ballkanik ka ndërtuar raporte të mira me Kinën dhe ka pranuar ndihmë nga Pekini, që i dërgoi gjashtë mjekë në Beograd për të ofruar ndihmë gjatë pandemisë.

(Kosova Sot Online)