Dy viktima të reja nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut

  • 29 April 2020 - 17:00
Dy viktima të reja nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut

Janë regjistruar edhe dy viktima të reja nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve në 73.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se viktimat janë dy të moshuar nga Shkupi dhe Prilepi, të cilët kanë pasur edhe probleme tjera shëndetësore, por që do të evidentohen si të vdekur nga COVID-19.

Edhe të mërkurën, sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i të shëruarve është më i lartë se ai i të infektuarve.

Autoritetet kanë regjistruar 21 të infektuar ndërsa 38 të shëruar, 19 prej të cilëve në Shkup.

Numri i të infektuarve tani ka arritur në 1,442, prej të cilëve 742 janë ende të infektuar ndërsa 627 të shëruar.

Në mesin e personave me rezultat negativ nga COVID-19 janë edhe kryeministri Oliver Spasovski dhe ministrisë i Shëndetësisë, Venko FIlipçe, të cilët për dy javë kanë qëndruar në vetizolim për shkak të pjesëmarrjes në një takim në Kumanovë me kryetarin e kësaj komune që kishte dalë pozitiv me koronavirus.

Të dhënat e ministrisë kanë të bëjnë me 279 teste të kryera në gjithë vendin, ndërkohë që numri i përgjithshëm i testeve, që nga paraqitja e rastit të parë ka arritur në 16,050.

(Kosova Sot Online)