"Aftësitë dhe kapacitetet e KFOR-it nuk janë minuar nga COVID-19"

  • 29 April 2020 - 18:57

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot (29 prill) në takim komandantin e KFOR-it, Michele Risi, me të cilin ka biseduar në lidhje me situatën e përgjithshme të sigurisë dhe luftimin e më tutjeshëm të COVID-19, thuhet në një komunikatë të përbashkët të Qeverisë në detyrë dhe KFOR-it.

“Gjenerali Risi e ka informuar kryeministrin në detyrë në lidhje me ushtarët e infektuar me COVID19, duke thënë se ata po trajtohen në objektet mjekësorë të KFOR-it. Ai po ashtu konfirmoi se falë masave parandaluese dhe të rrepta të ndërmarra që nga fillimi në të gjitha bazat dhe objektet, aftësitë dhe kapacitetet e KFOR-it nuk janë minuar nga COVID-19”, thuhet në njoftim.

Më 14 prill edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka theksuar se operacionet e Aleancës në botë, përfshirë Kosovën dhe Afganistanin, janë akoma funksionale, megjithëse me masa parandaluese të përhapjes së koronavirusit.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, në Kosovë deri më tani janë regjistruar 790 persona të infektuar, 232 të shëruar dhe 22 të vdekur, si pasojë e koronavirusit të ri.

(Kosova Sot Online)