66 raste aktive me COVID-19 në Pejë, sot testohen edhe 11 mostra

  • 01 May 2020 - 17:37
66 raste aktive me COVID-19 në Pejë, sot testohen edhe 11 mostra

Mbi 70 raste me COVID-19 janë konfirmuar deri tani në Komunën e Pejës. Sot nga kjo komunë janë përcjellë 11 mostra për testim për në laboratorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Informacione rreth rasteve në këtë komunë ka dhënë Drejtori për Shëndetësi, Petrit Loci.

Sipas Locit, gjendja e të infektuarve është e mirë. Ai ka treguar për media se sot kanë përcjellë për testim 11 mostra, rezultatet e të cilave pritet të dalin në mbrëmje.

Loci thotë se aktualisht në këtë komunë janë 66 raste aktive me koronavirus.

“Dy ditët e fundit, gjendja ka qenë më e mirë. Sot i kemi dërguar për testim 11 mostra të personave të kontaktit, dhe po i presim rezultatet në mbrëmje. Deri tani, në Pejë janë konfirmuar 73 raste. Prej tyre, dy pacientë kanë vdekur, pesë janë shëruar. Pra, raste aktive janë 66. Gjendja e të infektuarve është e mirë”, ka thënë Loci për Express.

Ndryshe, mbrëmë janë konfirmuar shtatë raste të reja me COVID-19. Rastet pozitive janë raste kontakti nga Komuna e Prizrenit, VitiA dhe Mitrovica e Jugut.

IKSHP’ja ka njoftuar edhe për shërimin e 22 pacientëve.

“Sot më 30 prill 2020, janë shëruar edhe njëzet e dy (22) pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej dyqind e shtatëdhjetë e një (271) raste”, thuhet në njoftim.

Që nga shpërthimi i pandemisë, në Kosovë kanë vdekur 22 pacientë. Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 806, ndërsa 271 pacientë janë shëruar.

(Kosova Sot Online)